Tabaku: Qeveria, në bankën e të akuzuarve të biznesit si më e korruptuara

Në një deklaratë për mediat këtë të enjte, ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë se sot gjendet në bankën e të akuzuarve të biznesit si më e korruptuara.

“Sondazhi i fundit i Bankës Botërore është një tjetër këmbanë që i kujton qeverisë shqiptare se si koha e saj në pushtet ka prodhuar korrupsionin më të pamenduar ndër shqiptarë. Janë 36,1% e bizneseve shqiptare që ankohen se korrupsioni është kthyer në oksigjenin e jetës së administratës publike tatimore dhe qeverisëse. Qeveria Rama që erdhi në pushtet me parullën e luftës kundër korrupsionit sot gjendet në bankën e të akuzuarve të biznesit si qeveria edhe më e korruptuar. Sipas Bankës Botërore janë 44% e bizneseve shqiptare që ankohen se korrupsioni është kthyer në një pengesë kryesore për punën e tyre ndërkohë që 34.6% e tyre u duhet të përgatisin zarfin sa herë që takojnë një ofiqar të shtetit. Në të njëjtin raport tregohet se 92,3% e bizneseve ankohen se vizitohen pambarimisht nga tatimet apo thërriten në zyrat e shtetit”, tha Tabaku.

Teksa i referohet një sondazhi të Bankës Botërore, Tabaku thekson se “shifrat janë tregues kokëfortë që Rama dhe klika e tij në pushtet kanë krijuar një rrjetë merimange të korrupsionit ku çdo biznes i duhet të paguajë për të mbijetuar”. “Ndërkohë që kompanitë që ankohen se taksat janë pengesë serioze për zhvillimin e biznesit për vitin 2019 janë 48.8%, kjo vlerë është 3 herë më e lartë se sa viti 2013. Bizneset që identifikojnë administratën tatimore si pengesë serioze në biznesin e tyre janë 29% një vlerë 2 fish më e lartë se sa në vitin 2013. Sipas bizneseve shqiptare taksat e larta, informaliteti dhe krahu i pakualifikuar i punës, janë barrierat reale për të përmirësuar ekonominë dhe jetën e tyre.  Qartësisht dhe lehtësisht e kuptueshme për të gjithë; Shqipëria e Ramës është ajo e shtetit kartel që bashkëpunon me oligarkët përmes korrupsionit dhe taksave të larta”, tha Topalli.

Shkarkoni aplikacionin e A2