Gara presidenciale në SHBA, Bloomberg, gati të shpallë kandidaturën

Michael Bloomberg, ish kryebashkiaku i New York është gati të zbresë në fushë për zgjedhjet presidenciale të 2020-s. Lajmin e bën të ditur “New York Times” duke cituar disa burime, sipas të cilave 77-vjeçari do të zyrtarizojë kandidaturën gjatë ditëve në vazhdim.

Ish qytetari i parë i New York duket se e sheh si një kandidat të dobët Joe Biden, ndërsa Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren sipas tij, nuk mund të fitojnë. Gjithsesi kritikat më të mëdha, i ka në adresë të presidentit aktual të Shtëpisë së Bardhë.

“Gjatë karrierës së tij, Donald Trump ka lënë pas të dhëna të dokumentuara mirë për falimentime dhe padi nga kontraktorë e konsumatorë që janë ndjerë të tradhtuar, e të vjedhur. Trump thotë se dëshiron ta drejtojë vendin ashtu si bizneset e tij. Zoti na ndihmoftë!”, tha ish kryebashkiaku.

Bloomberg po konsideron prej javësh përfshirjen në garë, e megjithëse nuk ka marrë një vendim përfundimtar, gjithçka duket se sugjeron një kandidim të mundshme të tij. Disa bashkëpunëtorë të ngushtë, thonë për “New York Post” se ish kryebashkiaku është i bindur që Donald Trump do të rizgjidhet nëse Warren do të jetë kandidatja demokrate që do ta sfidojë.  

Nëse do të konfirmohet, çmimin më të lartë të kandidaturë së tij do ta paguajë ish zv.presidenti Biden, i konsideruar si favorit deri më tani. Bloomberg shihet me sy të mirë nga Wall Street e shumëzgjedhës demokratë. 

Shkarkoni aplikacionin e A2