Merkel dhe Pompeo reagojnë pas kritikave të Macron ndaj NATO-s, Rusia i quan “fjalë të arta” – A2

Merkel dhe Pompeo reagojnë pas kritikave të Macron ndaj NATO-s, Rusia i quan “fjalë të arta”

Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka përshkruar kritikën e Emmenuel Macron-it ndaj NATO-s si drastike, pak orë pasi Presidenti francez tha se aleanca e Atlantikut verior ishte në prag të vdekjes për shkak të mungesës së koordinimit dhe paprashikueshmërisë së Shtëpisë së Bardhë.

“Presidenti francez ka zgjedhur fjalë drastike. Këndvështrimi im rreth bashkëpunimit brenda NATO-s nuk është ky. Mendoj se nuk është e nevojshme një goditje kaq e rëndë”, tha Merekl në një konferencë të përbashkët për mediat me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Berlin.

I pyetur nëse besonte ende te Artikulli 5 i traktatit sipas të cilit vendet e NATO-s duhet të mbrojnë njëri-tjetrin në rast të sulmeve ushtarake nga të tretë, Macron u përgjigj: “Nuk e di”.

Për këto deklarata, të bëra në një intervistë me britaniken “The Economist”, reagoi edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili e quajti NATO-n aleancën më të rëndësishme ushtarake në historinë e njerëzimit. Edhe Pompeo ndodhet në Gjermani për festimet e 30-vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, i quajti “fjalë të arta” deklaratat e Macron. Më 4 dhjetor në Londër do të mbahet Samiti i NATO-s.

Shkarkoni aplikacionin e A2