Merr fund qëndrimi në kampin e ISIS, Alvin zbret në Romë

Mbyllet me fund të lumtur historia e Alvin Berishës, 11-vjeçarit me origjinë shqiptare, i cili u largua drejt Sirisë në vitin 2014, me të ëmën që donte t’i bashkohej grupit terrorist. Pak orë pasi dëgjoi fjalinë që priste prej kohësh; ‘Babi po vij’, Afrimi mundi të përqafonte të birin mëngjesin e së premtes, kur mbërriti në aeroportin e Fiumicinos në Romë.

Destinacioni i radhës është qyteti i vogël i Brianza, ku është lindur e rritur e ku jetojnë akoma babai dhe dy motrat e tij më të mëdha. Ishte një operacion i jashtëzakonshëm ndërkombëtar, ai që riktheu Alvinin në familjen e tij, duke i dhënë fund ankthit 5-vjeçar.

Forcat italiane, me ndihmën e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, e gjithashtu bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare hynë në kampin e tmerrit Al Hol, ku qëndrojnë prej vitesh familjarë të luftëtarëve të Shtetit Islamik.

Një korridor humanitar u krijua për dërgimin e Alvinit fillimisht në Damask e më pas në Liban, nga ku u nis drejt Italisë. Në kufirin mes Sirisë dhe Libanit u prit nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili prej disa ditësh kishte qëndruar atje bashke me një skuadër speciale të policisë shqiptare.

Ndërsa falenderoi homologun e tij italian Giuseppe Conte që u angazhua personalisht për këtë operacion, kryeministri Edi Rama premtoi se përpjekja nuk do të mbyllet këtu, pasi fëmijë e gra nga Shqipëria vazhdojnë të jenë peng në kampin-burg nga ku u nxorr Alvin.

Historia e vogëlushit Alvin nisi në 2014, kur së bashku me të ëmën e radikalizuar në internet, Valbona, u nisën drejt Sirisë. Pas vdekjes së gruas gjatë një shpërthimi, i ati në Itali, nuk reshti asnjë ditë se kërkuari bashkimin me djalin. Emisioni investigative “Le Iene” në Itali i dha jehonë rastit, duke bërë të mundur takimin për pak çaste atë e bir. Mes lotësh u detyruan të ndahen, por tani, dhimbja dhe tmerri i përjetuar në kampin sirian, për Alvinin dhe familjet e tij do të mbeten thjesht një kujtim.

Shkarkoni aplikacionin e A2