Palmer: Mini Shengeni Ballkanik ka mbështetjen tonë – A2

Palmer: Mini Shengeni Ballkanik ka mbështetjen tonë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë të angazhuar në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. “Ky ka qenë themeli për angazhimin amerikan në rajon për më shumë se 20 vite. Kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Kjo është edhe arsyeja pse pamundësia e Këshillit Europian për të gjetur konsensus dhe të fillojë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte kaq zhgënjyese”, tha Palmer nga Davosi, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.

Megjithatë Palmer tha se kjo nuk është fjala e fundit. “Shpresojmë që Këshilli i Europës t’i rikthehet çështjes në mbledhjen e liderëve në maj, në Zagreb, të arrijë konsensusin e duhur dhe të nisë atë proces aq të rëndësishëm duke dërguar sinjalin e rëndësishëm në rajon”, u shpreh ai.

Palmer konsideron se ndërsa SHBA avancon drejt Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Europian konsiderohet deri në një farë niveli nga rajoni si duke u larguar, vetë rajoni po zhvillohet. Ai deklaroi se projekti i Mini Shengenit Ballkanik, një nismë e ndërmarrë fillimisht ga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut për të mundësuar lëvizjen e lir të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, ka mbështetjen amerikane.

 “Angazhimi i Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të promovojnë bashkëpunimin përmes së ashtu-quajturës nisma e Mini Shengenit është shpresëdhënës, është një tregues që liderët në rajon po marrin përgjegjësi për fatin e tyre, po marrin në dorë të ardhmen e vet”, tha Palmer. “Arkitektura e kësaj nisme ka një skaj të hapur, ka vend për Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën. Nisma është premtuese, ka mbështetjen tonë dhe angazhimin tonë për të bashkëpunuar me liderët e Ballkanit Perëndimor për ta çuar përpara”.

Shkarkoni aplikacionin e A2