“SOS” për mjekë, boshatisen spitalet në Shqipëri, për pavionet në Gjermani

Qeveria duhet të shpallë situatën e emergjencës për mungesën e mjekëve në spitale. Kërkesa vjen nga Shoqata e Traumës dhe Urgjencës Kirurgjikale.  Drejtuesi i saj, mjeku i shërbimit të traumes Agron Dogjani, jep alarmin se  largimet e mjekëve jashtë vendit, do t’i boshatisë spitalet në Shqipëri pas disa vitesh.

“Në repartin e anestezi-reanimacionit ne kemi mungesë të stafit me mbi 5 reanimatorë. Kemi vetëm 8-9 reanimatorë që mbulojnë të gjithë punën voluminoze. Qeveria duhet të shpallë atë që quhet “SOS”. Të gjejë rrugët dhe mjetet që t’i mbajmë këto kontigjente. Është truri i kombit. Mbas disa viteve nuk do të kemi ku të vizitohemi”, deklaroi Dogjani.

Shqipëria mban vendin e parë në rajon për numrin e lartë të traumave. 40 mijë persona në vit pësojnë dëmtime të rënda deri humbje jete, kryesisht nga aksidentet rrugore. Mjekët shprehin nevojën për hapjen e një qendre të dytë për traumën.

“Duhet të kemi kapacitete më të mëdha akomoduese dhe trajtuese dhe mundësisht të kemi një spital edhe më të madh. Menaxhimi i traumave të mos përqendrohet vetëm te spitali i traumës, por edhe në ndonjë spital tjetër, pasi ne e kemi të pamundur me këto kushte dhe kapacitete të menaxhojmë traumat”, shtoi Dogjani.

Një numër i konsiderueshëm i traumave gjatë aksidenteve në rrugë, përfundojnë me humbje jete. Mjekët thonë se një pjesë e vdekjeve që mund të evitoheshin, ndodhin për shkak të mungesës së ndihmës mjekësore në vendngjarje dhe në vazhdim.  

Shkarkoni aplikacionin e A2