30 vite nga shembja e Murit të Berlinit, Merkel bën thirrje për të mbrojtur demokracinë

Angela Merkel i bëri thirrje Europës që të mbrojë demokracinë dhe lirinë, të drejtat e njeriut dhe tolerancën, ndërsa mori pjesë në ceremoninë e 30-vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit, një moment vendimtar në ngjarjet që sollën rrëzimin e regjimeve komuniste në Europën lindore.

Merkel u tha udhëheqësve politike europianë që ishin të ftuar në ceremoni se këto vlera duhen mbrojtur dhe i paralajmëroi se nuk mund të merren si të mirëqena.

“Shumë njerëz ranë viktimë e diktaturës. Ne nuk do t’i harrojmë ata. Më kujtohen njerëzit që u vranë këtu, në këtë mur, vetëm sepse ata po kërkonin liri. Gjithashtu më kujtohen edhe 75 mijë të burgosurit, që tentuan të arratiseshin nga vendi”, tha ajo.

Merkel, e cila është rritur në Gjermaninë Lindore, përshëndeti publikun e mbledhur rreth një pjese të murit të ruajtur ende në këmbë, ku vendosi një trëndafil, ndërsa në sfond luante Orkestra Simfonike e Berlinit. Festimet do të mbyllen me një festë gjigante në Portat e Brandenburgut në mbrëmje.

Shembja e murit i hapi rrugë lëvizjeve demokratike në të gjithë Europën Lindore. 28 vite pas ndërtimit të tij në gusht të vitit 1961 për të penguar njerëzit të iknin në Perëndimin demokratik, Gjermania Lindore ishte në prag të falimentimit.

Natën e 9 nëntorit 1989, një gabim i zëdhënësit të qeverisë i cili tha se ishte hequr ndalimi i udhëtimit nga Lindja në Perëndim bëri që menjëherë qindra mijëra vetë të mblidheshin pranë murit dhe nisën ta shembnin.

Shkarkoni aplikacionin e A2