DËSHMI | 30 vite nga shembja e murit që ndante një qytet, një shtet dhe një kontinent

9 nëntori shënon një datë të rëndësishme në kalendar, për Gjermaninë dhe të ardhmen e Europës: shkatërrimin përfundimtar të murit të Berlinit, 9 nëntor 1989. Muri i Berlinit ishte një barrierë konkrete, që fizikisht dhe ideologjikisht ndau Berlinin dhe Gjermaninë, për plot 28 vjet.

Ndërtimi i murit u urdhërua nga Republika Demokratike Gjermane nën komandën e Moskës, më 13 gusht 1961. Muri ndau për thuajse 3 dekada, Berlinin perëndimor gjithë Gjermania Lindore, përfshirë edhe Berlinin Lindor. Qëllimi ishte parandalimi i emigrantëve nga blloku lindor drejt perëndimit, kryesisht drejt Spanjës, Francës dhe Anglisë. Muri filloi të ndërtohej në 13 gusht 1961 dhe mbaroi në datën 24 gusht 1962.

Barriera ishte e lartë, një mur prej betoni 3 metra dhe që përshkonte të gjithë Berlinin, duke e ndarë atë për plot 28 vite. Në të bënin pjesë dhjetëra kulla vrojtimi dhe dyer kalimi, përfshi edhe të famshmen “Pikë kalimi Çarli”. Konsiderohej si linja e hekurt midis dy botëve të kundërta përgjatë gjithë kohës së luftës së ftohtë. Shkatërrimi i tij shënoi fillimin e krisjes së komunizmi në Europë.

Edhe pse muri u ndërtua, 5 mijë vetë arritën të arratisen drejt Gjermanisë Perëndimore, por rreth 150 vetë u vranë duke u përpjekur për një jetë më të mirë për ta dhe familjen e tyre.

Një lajm i mirë

Në janar të vitit 1989 filluan revolucionet demokratike në Poloni dhe Hungari. Pas vetëm dy muajsh, në mars të vitit 1989, qeveria komuniste polake dhe qeveria komuniste hungareze u dorëzuan, duke ia lënë vendit qeverive demokratike. Edhe në Gjermaninë Lindore banorët donin t’i jepnin fund sundimit 51-vjeçar komunist. Të nxitur nga revolucionet në vendet afër tyre, ata filluan protesta masive në maj të 1989 derisa, në 9 Nëntor 1989, qeveria e Gjermanisë Lindore lajmëroi që banorët e tyre mund ta vizitonin Gjermaninë Perëndimore.

Ky lajm u prit me festime të mëdha në të dyja anët dhe 170 000 banorë të Gjermanisë Lindore e kaluan murin brenda 24 orëve. Në vitin 1990, njerëz euforikë dhe patriotë filluan të thyenin murin me gurë dhe me mjete të tjera rrethanore. Qeveria e Gjermanisë Perëndimore vuri në dispozicion të banorëve ekskavatorë dhe buldozerë për ta mbaruar më shpejt rrëzimin e këtij muri famëkeq.

Edhe pse muri ishte prishur, Gjermania Lindore nuk u bashkua zyrtarisht me Gjermaninë Perëndimore deri në 3 tetor 1990, që është edhe festa kombëtare e Gjermanisë, pasi ky shtet mbeti i ndarë për 51 vjet.

Dikur mur, sot suvenir

Sot 30 vite më pas, muri i Berlinit të rikthen sërish në mendje ato pamje, të atij muri 3 metra të lartë, që ndante një vend, një popull. 30 vite pas shembjes së atij muri, sërish historia e tij tërheq të huajt e vendasit, që e vizitojnë këtë vend që dikur ndante lindjen komuniste dhe perëndimin kapitalist. Parqet publike aty pranë dhe suveniret që shiten, e bëjnë më të lehtë rrëfimin e historisë.

Në atë kohë, kur gjermanët euforikë kërcyen mbi mur, duke e goditur me çekiç për ta thyer pjesë-pjesë, ishte e vështirë ta imagjinojë se edhe pse jo fizikisht, simboli i atij muri ende do të mbetej gjallë. Nga ajo kohë, muri është bërë një “hit” për sipërmarrësit privatë. Segmente të ndryshme të muri janë riprodhuar dhe janë eksportuar në mbarë botën, si instalacione apo suvenire.

Kush viziton Berlinit, kryesisht në këtë periudhë, nuk mund t’i shpëtojë një suveniri të tillë, që e gjen kudo. Disa prej tyre madje janë të pajisur edhe me certifikata autenticiteti. Disa seksione të murit, janë ende atraksione të jashtëzakonshme turistike. Në Berlin nuk mund t’i shpëtosh Galerisë së Lindjes, një seksion të murit të dikurshëm, që artistët e kanë pikturuar në shumë ngjyra që prej vitit 1990 e që ende qëndron në këmbë, më gjallë se kurrë. 

“Nuk e di sesi njerëzit mund të vijnë për të blerë një copë guri, që dikush e shet për pjesë të murit të Berlinit. Nuk e di sepse mund ta shesësh për diçka të rrallë sepse në atë mur kanë vdekur njerëz”, thotë Kani Alavi, një artist që ka lyer një pjesë të murit. “Disa artistë e lyemë këtë pjesë diku nga fundi i janarit deri në shtator të vitit 1990. Na ndihmoi periudha e të ftohtit, pasi vetëm ashtu boja do të mund të rezistonte ndër vite. Pas kaq vitesh, është ruajtur autenticiteti. Njerëzit sot janë vërtet të interesuar për ta parë”.

Kani Alavi

“Mendoj se është vërtet shokuese të shohësh se ky vend këtu ka ndarë një popull, nuk e di, në këtë moment mendoj vetëm për vendet e tjera që ende i kanë këto mure”, thotë Matthew Chaplin, turist. “Le të themi që kam disa ndjenja, keqardhje dhe mbresa vërtet emocionuese. Ndjej nga njëra anë, se kjo është një pjesë e historisë sonë kombëtare por jo një pjesë aq e mirë”, thotë Daria Ustymenko, turiste.

Dëshmitarë okularë

Por si e përjetojnë ata, që më 9 nëntor 1989 kanë qenë atje, poshtë murit dhe janë përpjekur ta rrëzojnë atë, të paktën të mundohen? Sascha Moellering është një prej tyre. Ajo ka qenë dëshmitare e rrëzimit të Murit të Berlinit, në Portat e Brandenburgut, më 9 nëntor 1989. Por edhe pse gjithçka mori fund atë natë të ftohtë nëntori, për Saschën janë dashur 10 vjet, për ta larguar nga mendja atë ndarje të tmerrshme. Nëna e tij po shihte televizor në shtëpi dhe pa disa imazhe, të disa njerëzve që i ishin drejtuar murit me çdo mjet të nevojshëm për ta shembur, pasi Guenter Schabowski, një ish-zyrtar i Lindjes komuniste, aksidentalisht kishte njoftuar hapjen e murit në një konferencë për shtyp. 

“Në një moment mamaja më pa dhe më pyeti: Çfarë po bëjmë ne këtu? Shko. Kjo është histori. Dhe ti duhet të shkosh. Mu deshën dhjetë vite për ta fshirë nga mendja atë mur”, kujton Sacha.

“Shkëndija” që ndezi flakën

Presioni ndaj qeverisë së Gjermanisë Lindore po rritej muajt e fundit gjithnjë e më shumë, kryesisht pasi qytetarët kërkonin të ishin të lirë të udhëtonin. Kur Riccardo Ehrman, një gazetar i Agjencisë së Lajmeve ANSA, e pyeti papritur zyrtarin e qeverisë Schabowski, rreth rregullave të lëvizjes, ndërsa ngatërrohej edhe vetë me fjalët e tij, ai tha se qeveria e Gjermanisë Lindore kishte vendosur t’i lejojë qytetarët e saj të lëviznin në çdo anë të kufirit që donin dhe ky rregull, sipas tij, do të hynte në fuqi menjëherë. Në dyshim, të frikësuar fillimisht dhe më pas euforikë, lindorët dolën menjëherë përpara murit, me kërshëri në pritje të asaj çka do të shihnin ne perëndim. “Nuk jam i sigurt ende sot nëse kontribuova sadopak por nëse ia kam dalë, atëherë jam jashtëzakonisht shumë krenar”, thotë Ehrman.

Riccardo Ehrman

Më pas u zbulua se njoftimi nuk duhej të bëhej publik, së paku deri në orën 4 të mëngjesit të ditës tjetër. Schabowski do të duhej të shpallte gjithashtu vendimin se lindorët që donin të kalonin në perëndim, do të duhet të aplikonin për vizë, në mënyrë të rregullt, ditore.

Susanne Roebisch, e cila ishte nga Berlini Lindor por ishte ndër të paktët që kish arritur të merrte leje për t’u zhvendosur me familjen e saj në Perëndim, në vitin 1985, kujton sesi u detyrua t’i thotë lamtumirë miqve të saj, që i njihte që në fëmijëri, pa e menduar kurrë se një ditë do ti shihte përsëri. Ata u shokuan kur mësuan nga televizori se muri është shembur. 

“Po qëndronim ulur, duke menduar: Çfarë? Si? Muri është i hapur tani? Ishte deklaratë e qartë? Mos tha gjë që të gjithë mund të kalojnë nga lindja në perëndim dhe nga perëndimi në lindje? Çfarë? Dhe vëllai im tha: Unë po shkoj ta shoh live. Dhe iku menjëherë”, kujton Susanne.

Babai i saj, i cili mbante vazhdimisht një ditar të detajuar, kish shkruar në datën 9 nëntor 1989: “Kufiri u hap”. Ditët që pasuan, në familjen e saj u shkëmbyen vizita, u panë me familjarë e miq që nuk ishin parë prej 30 vitesh, pasi jetonin në lindje. “Gjetëm një pjesë të familjes, nisëm të këmbenim vizita, njoftuam të gjithë njerëzit tanë për adresën që kishim. Pastaj prindërit e mi kaluan murin dhe shkëmbenim vizita çdo ditë”, thotë Susanne.

Susanne Roebisch

Por ndërsa fizikisht, muri u shemb dalëngadalë dhe në qetësi, për vetë gjermanët u desh më shumë kohë për t’u ndjerë si gjermanë sërish, dhe jo të ndarë, lindorë e perëndimorë, por një komb, një popull. Një pjesë e gjermanëve në ish-lindjen komuniste, ndihen si qytetarë të dorës së dytë, edhe pse ekonomikisht po fuqizohen njësoj si rajonet perëndimore, siç tregoi një raport zyrtar i shtatorit të këtij viti.

Helmut Kohl, kancelari që bashkoi Gjermaninë, e shtyu vendin edhe drejt një bashkimi politik. Por disa faktorë, përfshirë të dhënat ekonomike dhe një mënyrë jetese e imponuar për lindjen nga koha e regjimit komunist, e kanë ngadalësuar dhe e kanë bërë integrimin e tyre, pak më të ngadaltë dhe më të vështirë. Perëndimorët e pranojnë se i është dashur një kohë e gjatë për ta parë Berlinin lindor si pjesë të Berlinit dhe të të gjithë Gjermanisë.

  • LAJMI I FUNDIT | Meta dekreton Marsida Xhaferllarin gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese
  • LAJMI I FUNDIT | Arta Vorpsi për A2: Sapo e mora vesh nga mediat për dekretin e Presidentit
  • LAJMI I FUNDIT | Arta Vorpsi, anëtarja e shpallur fituese, sipas KED-it
  • LAJMI I FUNDIT | Vorpsi: E ndjej veten anëtare të Kushtetueses që kur skadoi afati i Presidentit
  • LAJMI I FUNDIT | Vorpsi për A2: S’do e ndjek çështjen, i takon institucioneve ta zgjidhin