Diabeti te fëmijët, matje falas në qendrën “Toptani”. Pacientët, ankesa ndaj mjekëve

Diabeti nuk zgjedh dhe as njeh moshë. Por, kush vuan prej tij i njeh vështirësitë e përditshme për të mbajtur nën kontroll sëmundjen.

Të rinjtë që vuajnë nga diabeti i tipit 1, një pjesë e të cilëve nuk pranojnë të identifikohen, denoncojnë problemet që kanë me marrjen e insulinës dhe fishave. Edhe pse rimbursohen nga shteti, pacientët e rinj tregojnë pengesat që u krijojnë mjekët e familjes.

Në prag të Ditës Botërore të Diabetit, qendra “Toptani” e ka kthyer në traditë mbështetjen e aktiviteteve të Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet, por jo vetëm. Prej vitesh, në ambientet e qendrës ofrohen matje falas të nivelit të sheqerit në gjak për vizitorët si dhe informacione për parandalimin e kësaj sëmundjeje.  

Kryetari i shoqatës vlerësoi mbështetjen e përvitshme të qendrës “Toptani”, ndërsa kërkoi nga qeveria politika për kujdesin shëndetësor dhe punësimin e të rinjve me diabet.

Në vendin tonë, 75 mijë persona trajtohen nga diabeti, mes tyre 1500 fëmijë e të rinj. Shenjat e diabetit janë etje e shtuar, urinim i shpeshtë dhe humbje në peshë. Veçanërisht tek fëmijët, mjekët rekomandojnë parandalimin e obezitetit, ushqyerje të shëndetshme dhe shtimin e aktivitetit fizik.

Shkarkoni aplikacionin e A2