Dy shqiptarë kapen në “fermën e kanabisit” në Uells

Dy shqiptarë u dënuan me nga dy vite burg në Britaninë e Madhe, pasi ishin kapur duke punuar në një “fermë kanabisi” të sofistikuar në Suansi, Uells, të ngritur në një shtëpi që iu ishte dhënë me qira disa italianëve. Kur Policia bastisi banesën zbuloi se ajo ishte kthyer në një pikë prodhimi, me më shumë se 300 bimë që po kultivoheshin në disa dhoma. Pas përfundimit të dënimit të dy do të depërtohen nga Britania e Madhe.

Njëri prej tyre, 27-vjeçari Bekim Selmani, madje ishte filmuar nga kamera e trupit të një polici duke punuar me bimët. Në një pjesë tjetër të banesës u arrestua edhe 26-vjeçari Paluca Pashko.

Ky i fundit nuk pranoi të fliste pasi u mor në pyetje, por sipas mediave në Uells, Selmani tha se ishte punëtor dhe paguhej 250 paund për të mirëmbajtur bimët, ndërsa priste të fitonte deri në 6000 paund deri sa ato të bëheshin gati për korrje. Ai u tha zyrtarëve se kishin rreth katër muaj në atë shtëpi dhe ishin të lirë të largoheshin, por nuk pranoi të zbulonte emrat e personave për të cilët punonte.

Paluca Pashko (m) dhe Bekim Selmani (d)

Të dy shqiptarët ishin në Mbretërinë e Bashkuar pa dokumente, por nuk kishin precedentë penalë. Avokati i Selmanit tha në gjyq se ai kishte pesë vjet në Britani dhe po mblidhte para për të paguar mjekimin për nënën e tij të sëmurë në Shqipëri. Më parë kishte punuar si lavazhier deri sa kishte njohur tre italianë të cilët i kishin ofruar këtë mundësi.

Ndërsa avokati i Pashkos, tha se klienti i tij kishte vetëm pak kohë në Mbretërinë e Bashkuar dhe i ishte premtuar punë në ndërtim, por e kishte gjetur veten në një fermë kanabisi. Ai tha gjithashtu se kishte vetëm pak ditë që qëndronte në shtëpinë ku u krye arrestimi.

Gjykatësi Geraint Walters u tha të dyve se ata e dinin fare mirë se çfarë pune të paligjshme po bënin, por gjithashtu pranoi se për të zgjidhur këtë problem shqetësues në vend duheshin kapur personat që kishin organizuar rrjetin kriminal.

Shkarkoni aplikacionin e A2