Interi del nga makthi, thyen “kështjellën” e Veronës

Interi mund Hellas Verona dhe del nga një “makth” që duket sikur po e ndiqte nga ndeshja me një tjetër ekip me fanellë të verdhë, gjermanët e Borussia Dortmund.  

Ndeshja e Serisë a është ndryshe nga ajo e Champions League, me zikaltrit që dominojnë lojën, por që ndëshkohen në minutën 19 nga Verre me penallti, pas një dalje të panevojshme të portierit Handanovic.  

Nga ai moment Verona, të cilës i mungonte mbrojtësi i talentuar i Kombëtares Marash Kumbulla por që kishte ish-lojtarin e Partizanit Amir Rrahmani, u tërhoq dhe fillon një “rrethim” zikaltër i “kështjellës veroneze”, jo më kot një nga mbrojtët më të mira të kampionatit.

Mungesa e cinizmit të Lukakut dhe mbrëmja super e portierit Silvestri detyrojnë Interin të presë fundin e ndeshjes për të festuar.

Është Vecino ai që barazon rezultatin me një goditje koke autoritare  në minutën 65,  dhe pas një seri rastesh të kulmuara në një gabim të pafalshëm të belgut Lukaku, që i vetëm i dorëzon topin portierit, djemtë e Contes bëjnë të shpërthejë San Siro falë një perle të mesfushorit Barella, një goditje e harkuar nga jashtë zone.

Me fitoren e sotme, Interi merr kryesimin e Serie A me 31 pikë, në pritje të supersfidës Juventus-Milan.

Shkarkoni aplikacionin e A2