Meta kthen në Kuvend ligjin për “Korporatën e Investimeve Shqiptare”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend projektligjin për Korporatën e Investimeve Shqiptare, i cili u miratua nga mazhoranca në Seancën Plenare të 17 tetorit.

Referuar argumenteve të kreut të shtetit, Komisioni i Ekonomisë ka shqyrtuar draftin pa marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese lidhur me përbërjen dhe funksionet e organeve drejtuese të Korporatës.

Sipas Presidentit, nisma e qeverisë cenon parimet kushtetuese të funksionimit të pushtetit vendor, pasi u heq atyre kompetencat ku përfshihen edhe miratimi i tjetërsimit ose dhënies në përdorim të pronave.

Ndër të tjera, Presidenti Meta evidenton se ky projektligj mjaft i diskutuar jo vetëm nga aktorët politikë, por edhe nga ekspertë, ka shmangur disa hallka pasi nuk ka kaluar për shqyrtim nga Komisioni për Çështjet Ligjore, duke theksuar se kjo cenon të drejtën themelore të pronës.

“Presidenti i Republikës, vlerëson se nisur nga përmbajtja e projektligjit të paraqitur për shqyrtim, ku dispozita të veçanta të të cilit lidhen me respektimin e të drejtave themelore siç është e drejta e pronës, ky projektligj duhet të ishte shqyrtuar në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi edhe nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Shqyrtimi i këtij projektligji nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut do të kishte ndihmuar komisionin përgjegjës në vlerësimin objektiv të kësaj nisme ligjvënëse mbi kushtetushmërinë e projektit apo edhe vlerësimit mbi nevojën që ka ose jo shoqëria dhe rendi juridik shqiptar për këtë normë të re ligjore, që sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Këshillit të Ministrave vlerësohet si një koncept inovator.

U konstatua se ky ligj bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese; aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, cenon parimin e sigurisë juridike dhe të drejtën themelore të pronës, si dhe fryma e këtij ligji është në kundërshtim me sistemin ligjor aktual mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare”

Presidenti Ilir Meta
Shkarkoni aplikacionin e A2