Përplasje mes prokurorëve të dosjes së Bashës, mungon firma e Kolë Hysenajt

Firma e Kolë Hysenajt, një nga prokurorët e grupit hetimor për lobimin e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara mungon në konkluzionet e hetimit, sipas të cilave Lulzim Basha duhet të merret i pandehur me akuzën për falsifikim.

Në dosje janë firmat e vetëm dy prokurorëve të tjerë, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako. Për pasojë, procedura ligjore për dërgimin e dosjes në Gjykatë, është vënë në dyshim. Pasi dosja u publikua në media me firmën e vetëm dy prokurorëve, A2 kontaktoi me drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Ymeraj.

Prej disa ditësh, Ymeraj nuk kishte qenë në detyrë për arsye shëndetësore, por ajo e konsideroi të pavlefshme nismën e dy prokurorëve për ta dërguar dosjen në Gjykatë, pa firmën e kolegut të tyre Hysenaj.

Prokurorja e Tiranës paralajmëroi nisjen e verifikimit për të hedhur dritë mbi kontradiktat e prokurorëve dhe për caktimin e hapave të mëtejshëm në lidhje me këtë çështje.

Mbetet për t’u parë nëse grupi hetimor do të bjerë dakord për korrigjimin e këtij handikapi, apo vendimi, për nisjen apo jo të procesit gjyqësor ndaj Lulzim Bashës, do të merret në një seancë paraprake në Gjykatë.