Presidenca për Kushtetuesen: Kuvendi të votojë të hënën anëtarin e dytë, menjëherë dekretojmë tjetrin

Ndërkohë që KED ka dorëzuar sot pikëzimet përfundimtare për kandidatët në Gjykatën Kushtetuese, qëndrimi i Presidencës për agjendën e emërimeve nuk ka ndryshuar.

Në një deklaratë të zëdhënësit të Presidencës, Tedi Blushi, thuhet se presidenti  “ka qenë shumë i qartë dhe transparent kur ka bërë publike fakte të pakundërshtueshme që provojnë se cilat ishin qëllimet, kujt i interesonte, si dhe kush e bllokoi procesin e ngritjes së kësaj Gjykate për dy vite radhazi”.

Sipas Blushit, tashmë ”falë dhe përpjekjes së vazhduar të Presidentit të Republikës, jemi në fazën finale ku Kuvendi dhe Presidenti do të emërojnë në ditët në vijim edhe 3 anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas tij, “Presidenti i Republikës është në pritje që Kuvendi në datë 11 nëntor 2019 të votojë në seancë zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese dhe menjëherë sipas radhës që dikton Kushtetuta dhe ligji do të dekretojë emërimin e anëtarit tjetër të Gjykatës Kushtetuese që do të plotësojë vendin vakant të ish-gjyqtares, znj.Altina Xhoxhaj”.

Për zëdhënësin e presidencës, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është shumë e qartë për këtë çështje dhe Presidenti po kaq i qartë dhe i vendosur në respektimin e saj”.

Shkarkoni aplikacionin e A2