Juventusi mposht Milanin, Ronaldo kthehet në “problem”, kuqezinjtë zhyten në krizë – A2

Juventusi mposht Milanin, Ronaldo kthehet në “problem”, kuqezinjtë zhyten në krizë

Edhe pse me vështirësi, Juventusi ia ka dalë të marrë 3 pikët ndaj Milanit, në ndeshjen më të rëndësishme të kësaj jave në Serie A.

Kampionët e Italisë hasën vështirësi ndaj kuqezinjve, të cilët u dukën me një tjetër “marsh” në këtë takim, por sërish në fund dolën pa pikë.

Sarri e nisi ndeshjen me Ronaldo-Higuain në majën e sulmit, por portugezi e mbylli pjesën e parë pa lënë asgjë gjurmë dhe po ashtu si në takimin e mesjavës në Champions ndaj Lokomotivës së Moskës, edhe ndaj Milanit Sarri vendosi të zëvendësojë Ronaldon dhe këtë e bëri që në minutën e 55-të.

Portugezi la fushën e lojës menjëherë, duke mos u përshëndetur me asnjë prej shokëve të tij dhe u fut menjëherë në dhomat e zhveshjes.

Por minutat në vazhdim i dhanë të drejtë trajnerit, pasi ishte pikërisht Dybala ai që shënoi golin e vetëm të kësaj sfide, pas një lëvizje mjaft të bukur në zonë e dërgoi topin në rrjetën e Milanit.

Me këtë fitore, Juventusi shkon në kuotën e 32 pikëve në vendin e parë, një pikë më shumë se Interi. Në anën tjetër, Milani zhytet në krizë, pasi në 5 ndeshjet e fundit ka marrë vetëm 4 pikë dhe ka përfunduar në vendin e 14 në renditje.

Shkarkoni aplikacionin e A2