Rama: Do realizoj atë që kam ëndërruar, heqjen e kufirit torturues Kosovë-Shqipëri

Pas konferencës për shtyp me liderët e Ballkanit Perëndimor në përfundim të Samitit të Ohrit, kryeministri Edi Rama ka dhënë një deklaratë për shtyp për mediat shqiptare të interesuara për këtë ngjarje.

Kreu i qeverisë deklaroi se nisma po anatemohet përmes politikës së tymnajës patriotike. Edi Rama u shpreh se nisma ka një gjë të re që është lëvizja e lirë dhe për këtë arsye do të punojë për heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës si në të gjitha vendet e Shengenit.

“Kjo nismë nuk është se po pengohet, po anatemohet me pretendime të paarsyeshme dhe përmes avazit të politikës që në vend se të synojë të përmirësojë jetën e njerëzve, synon marrjen peng të tyre, përmes deklaratash me tym patriotik. Në këtë nismë ka një gjë të re që është ajo që unë kam ëndërruar dhe do ta realizoj, e cila është lëvizja e lirë e njerëzve, heqja e kufirit torturues mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kufiri do të kthehet në një kalim fluid si në të gjitha shtetet e Shengenit. Askush nuk mund ta kushtëzojë, secili mund të përmirësojë kushtet e lëvizjes së lirë dhe të mallrave”, tha Rama.

Edi Rama reagoi dhe për sulmet politike që po vijnë në adresë të tij apo të qeverisë së Shqipërisë.

“Nuk është një politikë e mirë për Kosovën të sulmohet qeveria e Shqipërisë, apo kryeministri i saj. Nuk e sjellë asgjë e mirë Kosovës që të vetëpërjashtohet pa asnjë arsye”, shtoi Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2