A2 në Siri, 80 shqiptarë të bllokuar në kampin e ISIS

Përditësuar më: 8/3/2022, ora 11:21

A2 në Siri, 80 shqiptarë të bllokuar në kampin e ISIS

Përditësuar më: 8/3/2022, ora 11:21

Kampi Al Hawl u bë i njohur për shkak të Alvin Berishës, vogëlushit që preku zemrat e miliona italianëve dhe shqiptarëve me historinë e tij të dhimbshme. Fati e desh që Alvin Berisha t’i shpëtojë bombardimeve ku humbi jetën nëna e tij. Me pas, ia doli të mbijetojë i vetëm në kampin Al Hawl, ku jetojnë mbi 74 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë të luftëtarëve të ISIS të kapur rob.

Por, në kampin Al Hawl, që mund të konsiderohet edhe një burg i madh, ende jetojnë një grup shqiptarësh të tjerë, gra dhe fëmijë. Të dhënat janë të pasakta, për shkak të një situate kaotike në Al Hawl dhe në të gjithë pjesën lindore të Sirisë.

Dihet që në Al Hawl jetojnë në skamje disa dhjetëra shqiptarë. Forcat siriane i konsiderojnë robër lufte të rrezikshëm, ndërsa shteti shqiptar është i pafuqishëm të kontaktojë me këta njerëz.

A2 do të ndjekë nga afër historinë e këtyre njerëzve të lënë në mëshirë të fatit në një zonë të rrezikshme të Sirisë. Gazetari Jul Kasapi dhe operatori Indrit Myftari janë në Siri, në Rrozhava, pikërisht në qytetin ku është ngritur kampi-burg i Al Hawl.

Në ditët në vazhdim do të tentojmë të sjellim nga afër historitë e këtyre njerëzve, gra dhe fëmije shqiptare të mbetur në kampin Al Hawl. Përmes disa raportimeve direkt nga Siria, vetëm pak kilometra larg kampit, do të informoheni mbi situatën e grave dhe fëmijëve shqiptarë që gjenden në një zonë të rrezikshme, të mbetur në kurthin e luftimeve, në një zonë që ende kontrollohet nga kurdët.

Kampi-burg i Al Hawl, mbi 80 shqiptarë të bllokuar, gazetari i A2 zbulon vendndodhjen

Ekipi i A2 që ndodhet në Siri pranë kampit famkeq të ISIS ka mësuar se brenda ambienteve të tij strehohen dhe rreth 80 shtetas shqiptarë që qëndrojnë aty prej shumë kohësh. Shtetasit shqiptarë ndodhen në pjesën veri-perëndimore të kampit të Al Hawl, në pjesën fundore të tij.

Ekipi i A2, nën drejtimin e gazetarit Jul Kasapi do të mundohet të krijojë kontakte me këta njerëz të bllokuar në kampin-burg për të mësuar më shumë rreth tyre, identitetin, problemet dhe si i kalojnë ditët në pritje të një zgjidhje.

Ndërkohë, i ftuar në A2, Redjon Qirjazi, drejtor i çështjeve të sigurisë, IDM, tha se autoritet shqiptare duhet të ndërhyjnë, e për këtë sipas tij ka argumente ligjore dhe humanitare.

“Ka një argument ligjor për të ndërhyrë, por ka edhe argument humanitare. Gratë shqiptare janë viktima të këtij procesi. Këta persona kanë kaluar rreziqe të jashtëzakonshme. Rrezikojnë trafikimin, ndërsa janë objekt abuzimi”, tha Redjon Qirjazi, drejtor i çështjeve të sigurisë, IDM.