Panairi ”i varfër” i librit, më pak blerës e mbështetje financiare, më shumë tituj – A2

Panairi ”i varfër” i librit, më pak blerës e mbështetje financiare, më shumë tituj

“Një korsi për librin”. Kjo ishte këmbana që jehoi dy ditë përpara Panairit të Librit.

“Shikojmë që mbështetet lloj e lloj aktivitetesh, koncertesh, biçikletash.. por libri nuk mbështetet. Mendoj që për Bashkinë e Tiranës duhet të konsiderohet më e rëndësishme “korsia” e librit sesa ajo e biçikletave. “Korsia” e librit është ajo që na çon në Evropë. Korsia e biçikletave na çon deri te Stacioni i Trenit”, deklaroi kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.

Ndërsa kanë nisur përgatitjet e para për Panairin e Librit, eventin më të rëndësishëm të letërsisë në vendin tonë, problemet që jehojnë si çdo vit janë të njëjtat, si edhe përpjekjet e botuesve.

Situata është e vështirë, blerësit janë të paktë dhe mbështetja ndaj panairit thuajse zero.

“Ne jemi disa hapa më përpara institucioneve shtetërore. Përballemi me një indiferencë të dukshme të institucioneve shtetërore për të ndihmuar sistemin libror në Shqipëri, në radhë të parë sistemin bibliotekar. Nga Ministria e Kulturës si zakonisht kemi mbështetje minimale, por më mirë pak sesa hiç. Ajo që çalon më shumë në fazën e parë është furnizimi me libra i bibliotekave publike. Ka 8 vjet që bibliotekat shkollore nuk po furnizohen nga Ministria e Arsimit. Ka 10 vjet që Bashkia e Tiranës nuk e mbështet kurrë Panairin e Librit që është aktivitet që bëhet në Tiranë. Bashkia e Tiranës nuk është bërë e gjallë fare, nuk ekziston”, shtoi Ymeri.

Ky event edhe këtë vit do të realizohet me dëshirën e mirë të botuesve për të sjellë në shqip, vepra të mira. Më shumë se 100 shtëpi botuese, përfshirë këtu edhe ato nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi do të sjellin në Tiranë më shumë se 800 tituj të rinj të publikuar përgjatë këtij viti.

Edicioni i 22-të i Panairit të Librit nis të mërkurën, më 13 nëntor dhe mbyll dyert e Pallatit të Kongreseve mbrëmjen e së dielës, më 17 nëntor.

Shkarkoni aplikacionin e A2