Gjinishi: Shqiptarët e Al Hawl të frikësuar, ndjejnë harresën e shtetit – A2

Gjinishi: Shqiptarët e Al Hawl të frikësuar, ndjejnë harresën e shtetit

Ish-nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Ermir Gjinishi ishte i ftuar në panelin e A2 për të folur rreth realitetit në kampin e Al Hawl në Siri dhe shqiptarëve që ndodhen aty.

“Kampi Al Hawl e ka filluar jetën e tij që nga viti 1992 në Luftën e parë të Gjirit, pastaj u riaktivizuar në vitin 2003, pas ndërhyrjes së Perëndimit dhe rrëzimit të Sadam Hussein, i cili nxorri jashtë territorit të Irakut me mijëra palestinezë që refuzuan të bashkoheshin me ushtrinë kundër forcave perëndimore. Dhe riaktivizohet e mbushet më tej gjatë konfliktit të Sirisë. Deri në marsin e vitit të kaluar kur ndodhi dhe beteja e fundit me ISIS ka pasur diku tek 9-10 mijë refugjatë kryesisht nga Iraku dhe Siria, por aktualisht mendohet që aty të ketë 70 mijë refugjatë, por askush nuk e di shifrën e saktë”, tha Gjinishi.

Ermir Gjinishi dënoi garën propagandistike të ditëve të fundit të shtetit shqiptar në lidhje me rastin e vogëlushit shqiptar Alvin, i cili fatmirësisht ai doli të shpëtojë dhe të largohet nga ai kamp, falë ndërhyrjes së autoriteteve italiane. Sipas tij ky është realiteti i vërtetë dhe i trishtë në Al Hawl.

“Këto ditë e fundit, ne ndoshta jemi përballur me dy pamje antagoniste shumë të mëdha lidhur me atë që po ndodh në kampin e Al Hawl, lidhur me shqiptarët. Kemi parë para disa ditësh reagimin e shtetit shqiptar dhe një garë propagandiste e pakuptimtë. Ndërkohë që ky i sotmi është realiteti i vërtetë se çfarë ndodh dhe çfarë ka në kampin e Al Hawl”, shtoi Gjinishi.

Më tej, ish nënkryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar nuk i munguan kritikat dhe ndaj shtetit shqiptar, që sipas tij i ka lënë në harresë shqiptarët që kanë mbetur të bllokuar në kampin-burg ku ndodhen familjarët e luftëtarëve të ISIS.

“Ata njerëz janë të kërcënuar, kanë frikë të pranojnë realitetin. Mos harrojmë që atje çdo ditë vriten dhe kërcënohen njerëz. Atje mund të ketë njerëz të kamufluar, ish luftëtarë të ISIS, por rreth kampit ka me dhjetëra njësite dhe guerrilas që janë pjesë të mbetura të ISIS dhe Al Nusra që veprojnë herë pas herë. Pjesa e luftëtarëve të huaj është më e radikalizuara në atë vend. Ata njerëz ndjejnë dhe harresën e shtetit. Ai ka përgjegjësi të merret me ta. Reagimi i shtetit shqiptar nuk ka asnjë krahasim me asnjë shtet tjetër”, përfundoi Ermir Gjinishi.

Shkarkoni aplikacionin e A2