Kritikat për indiferencë ndaj shqiptarëve në Siri, Mesi reagon për A2

Përditësuar më: 8/3/2022, ora 11:21

Kritikat për indiferencë ndaj shqiptarëve në Siri, Mesi reagon për A2

Përditësuar më: 8/3/2022, ora 11:21

Nënkryetarja e Komisionit të Integrimit, Senida Mesi, e ftuar në studion e Ditari në A2, iu përgjigj kritikave ndaj qeverisë për indiferencë ndaj shqiptarëve në Siri.

Sipas saj, “qeveria i ka në vëmendje, por nuk janë raste që duhen bërë publike, pasi të gjithë ata mund të kthehen nga terroristët atje në subjekt”.

“Ishte rasti i Alvinit që e nxori në dritë këtë fenomen. Nuk e pranoj që shteti shqiptar nuk është i ndjeshëm me këto raste. Në kampin Al-Hawl ndodhen shumë individë që janë rekrutuar në mënyrat nga më të çuditshme për të luftuar atje. Qeveria i ka vëmendje, por nuk janë raste që duhen bërë publike, pasi të gjithë ata që ndodhen aty mund të kthehen nga terroristët atje në subjekt. Raste të tilla duhen trajtuar me diskrecionin më të madh. Duhet patur vëmendje te parandalimi i rasteve të tilla, parandalimi i radikalizimit. Askush nuk ka shkuar me detyrim, por me dëshirën për të shërbyer për diçka. Rikthimi është i vështirë dhe duhen kaluar disa procedura, në mënyrë që këta individë të riintegrohen dhe të kthehen ata që ishin para se të shkonin në ato kampe”, shpjegoi Mesi.

Kur u pyet nëse shteti shiptar ka informacion të plotë për shtetasit shqiptarë në Siri, Mesi u përgjigj: “Është një vend që nuk ka shtet që të komunikosh me institucione. Sigurisht që qeveria ka informacion, por nuk mund të them a është 100% i plotë”.

Në lidhje me minishengenin ballkanik dhe distancimit që mund të krijojë mes qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare, Mesi theksoi: “Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar në Serbi qeverisë serbe njohjen e Kosovës. Rama nuk ka reshtur së lobuari për njohjen e Kosovës, në çdo takim. Mosnjohja nuk duhet të përjashtojë Kosovën të bëjë marrëveshje bilaterale me Shqipërinë dhe Malin e Zi”.

Në fund, Mesi foli edhe për situatën me banorët tek Unaza e Re: “Situata duket më e rëndë sesa ditët e mëparshme. Qeveria do të finalizojë projektin që është investim publik, por interesi i individit po trajtohet me vëmendjen maksimale si nga qeveria, ashtu edhe nga Bashkia e Tiranës”.