Macron bën bashkë Thaçin dhe Vuçiç: Të vazhdojë dialogu – A2

Macron bën bashkë Thaçin dhe Vuçiç: Të vazhdojë dialogu

Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç ballë për ballë. Emmanuel Macron bëri bashkë dy presidentët e Kosovës dhe Serbisë në një takim duke ndërmjetësuar bisedën mes tyre në forumin e Parisit për Paqen.

Pikërisht dialogu ishte temë kryesore, ndërsa zgjidhja përfundimtare me marrëveshje mbetet synimi kryesor.

“Në këtë takim rikonfirmova se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila duhet të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara, por edhe më shumë paqe e stabilitet në tërë rajonin tonë”, tha Hashim Thaçi, president i Kosovës.

Vazhdimin e dialogut, Serbia e kushtëzoi sërish me heqjen e taksës 100%. “Thaçi e di këtë. Nuk është një çështje që po diskutohet por të gjithë e dinë. Ne po presim nga ata, që të pezullojnë taksën dhe pastaj të bisedojmë, sigurisht, nëse ata dëshirojnë të arrijnë një kompromis”, tha Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë. Më tej, Vuçiç tha se beson që presidenti francez dëshiron të zgjidhë problemet në Europë, ndërsa për këtë kishte premtuar se do të tregohej realist dhe i sinqertë. Ndërkohë, pjesë e Forumit të Paqes është dhe presidenti shqiptar, Ilir Meta. Kreu i shtetit shprehu kënaqësinë për takimin e zhvilluar mbrëmjen e së hënës me Macron, dhe e quajti bashkëpunimin me Francën si shumë të rëndësishëm për të ardhmen europiane.

Shkarkoni aplikacionin e A2