Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Shqiptarët në Siri, Mejdini: Kanë kërkuar të kthehen, por nuk janë dëgjuar

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2019, 11:15 | Aktualitet
Shqiptarët në Siri, Mejdini: Kanë kërkuar të kthehen,

Gazetarja Fatjona Mejdini, e ftuar në studion e Ditari në A2, ka deklaruar se ka pasur komunikim me femrat shqiptare në Siri “që nga muaji mars” dhe shtoi se ato i “kanë treguar dëshirën për t’u kthyer dhe presin që shteti të marrë masa”.

“Edhe familjarët e tyre kanë qenë shumë aktivë duke nisur nga dhjetori i vitit të kaluar, kur ISIS humbi territoret dhe gratë dhe fëmijët u morën rob nga kurdët. Tani, çështja është se familjarët nuk janë dëgjuar nëpër institucionet shqiptare. Alvini u kthye, por janë rreth 50 fëmijë të tjerë që ndodhen në Al-Haël. Nuk po themi që marrja e tyre është e lehtë, duhet të negociosh dhe duhet të pajisësh qytetarët e tu me dokumentacionin e vendit nga vijnë”, shpjegoi Mejdini.

“Ka shumë lindje të reja, mendohet se vitet e fundit kanë lindur 30 fëmijë shqiptarë që nuk janë regjistruar. Por, po të shikojmë Kosovën, ka kthyer 110 fëmijë të lindur në Siri. Po i bëjnë analizat e ADN pasi gratë atje mund të kenë qenë në lidhje poligame, janë martuar sërish pas burri i ka vdekur në luftë. Ka mundësi, por shteti shqiptar përgjatë vitit nuk ka bërë asgjë për këtë, vetëm deklarata propagandistike, ka gjetur një çështje të ngritur si ajo e Alvinit dhe ka rendur për të marrë merita”, shtoi gazetarja.

Sipas saj, “gratë, në pjesën më të madhe, janë viktima të burrave të tyre”.

“Në 2014, pjesa dërrmuese nuk e dinin ku po shkonin. Duhet të kuptojmë që një pjesë shumë e madhe janë viktima. Nuk po thotë askush që të kthehen në shtëpi. Fillimisht, duhet të dalin para gjyqit për të kuptuar se çfarë kontributi kanë pasur në Shtetin Islamik. E rëndësishme është që të ndajmë gratë nga fëmijët, të cilët kanë humbur fëmijërinë e tyre dhe duhet të ndërhyhet që të kthehen”, theksoi Mejdini.

Gazetarja shtoi: “Nga dëshmitë e familjarëve, di që qeveria nuk ka pasur ndonjë dëshirë të madhe për të komunikuar me këta njerëz. Kanë qenë familjarët që kanë shkuar te qeveria dhe shpesh janë përballur me dyer të mbyllura. Nuk e di pse qeveria shqiptare e ka mbajtur këtë qëndrim. Shtetet e tjera kanë bërë tentativa për të marrë fëmijët. Qeveria as nuk i ka identifikuar. Identifikimi duhet të ishte mbyllur prej vitesh, shteti duhet të kishte punuar”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë