Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 31%
  • Më i zënë në punë 38%
  • Ndihmon në shtëpi 31%

6 familjarë në Siri, përgjërimi i Elvirës: Më ktheni motrat e vogla

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2019, 22:02 | Aktualitet
6 familjarë në Siri, përgjërimi i Elvirës: Më

“E kam parë atë video me qindra herë. Ai i thërriste për më shumë se tre orë dhe kur i ka gjetur nuk kishte gëzim më të madh për ne familjarët”. Kështu e nisi tregimin e saj me lot në sy Elvira Bajrami.

Elvirës i dhemb shpirti. Mbrëmjen e së martës, nga shtëpia e saj në Tiranë ajo shquajti motrën në reportazhin e A2 brenda kampit të Al Hawl në Siri.

“Është motra ime. Ajo ka shkuar në Siri me familjen. 6 veta nga familja ime kanë shkuar në vitin 2015 në Siri, bëjnë 6 vjet tani. Ndoshta nuk jam e saktë ngaqë kam përjetuar shumë strese. Në fillim ka ikur vëllai, pastaj prindërit që të mos ishin larg tij. Në fillim kishim kontakte pastaj gjërat u përkeqësuan. Kontakti i fundit me mamin ka qenë një muaj më parë me mamin me mesazh, ndërsa me zë jo”, tregon për kameran e A2, Elvira Bajrami.

Në bisedat e pakta e të rralla me të ëmën, ka mësuar se femrat e familjes ndodhen në kapin famëkeq prej 7 muajsh.

“Vajza Unesa është 8 vjeç. Më ka lindur dhe një motër atje që bën 4 vjeç në shkurt. Vëllai është 19 vjeç, ka ikur 11 vjeç nga Shqipëria. Kam kërkuar ndihmë nga strukturat shtetërore madje dhe tek platforma e kryeministrit, por nuk kam pasur ndonjë përgjigje. Asnjë nuk ka kërkuar dokumentet e tyre të identifikimit”, vijon rrëfimin e saj me lot në sy Elvira.

E djegur nga malli dhe shqetësimi për familjen, lutja e Elvirës drejt shtetit është vetëm një. 

“Shteti t’i kthejë sa më shpejt. I lutem shtetit ta bëjë sa më shpejt. Të përshpejtojë procedurat. I kërkoj kryeministrit të bëjë diçka për familjen time. Motra duket e qeshur në video ashtu siç ka qenë. I lutem shtetit që edhe për burrat nëse kanë bërë ndonjë gjë ta bëjnë burgun në Shqipëri”, shton Elvira Bajrami.

Derisa të ketë familjen pranë Elvira, sot nënë e tre fëmijëve, mund t’i gëzohet vetëm fotografive. Thirrjes së saj i bashkohet edhe bashkëshorti, Rifati, aktualisht imam i xhamisë së Mëzezit, një prej ish-vatrave të nxehta të ekstremistëve para vitit 2015, por aktualisht xhami nën juridiksionin e Komunitetit Mysliman Shqiptar.

“I kërkoj shtetit të bëjë të mundur kthimin e këtyre njerëzve sa më shpejt të cilat janë viktima të asaj që ndodhi. Ka ardhur koha që ata të kthehen dhe të vijnë në vendin e tyre”, tha imami Rifat Bajrami.

A2 CNN Livestream

Dita jonë