Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 31%
  • Më i zënë në punë 38%
  • Ndihmon në shtëpi 31%

Shqiptarët e bllokuar në Siri, Krasniqi: Shteti shqiptar, i papërgatitur

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2019, 22:30 | Aktualitet
Shqiptarët e bllokuar në Siri, Krasniqi: Shteti shqiptar, i

Çështja e nxehtë e shqiptarëve të bllokuar në Al Haël të Sirisë ishte temë e diskutimit në studion e televizionit A2, i cili për të tretën ditë me radhë, solli dëshmitë e grave dhe fëmijëve që mbahen mbyllur në kampin-burg të familjarëve të ish luftëtarëve të ISIS.

Pas dëshmive rrëqethëse dhe lutjes së këtyre njerëzve për t’u kthyer në shtëpi A2 kontaktoi me autoritetet shtetërore shqiptare lidhur më këtë çështje, por ishte e pamundur të merrte një përgjigje.

Për analistin Afrim Krasniqi që ishte pjesë e panelit të të ftuarve në A2, kjo është një nga rastet tipike kur Shqipëria nuk është e përgatitur, kjo pasi mungojnë strukturat e nevojshme dhe se shumica e operacioneve drejtohen nga partnerët ndërkombëtare.

“Është një nga ato rastet tipike kur Shqipëria nuk është e përgatitur, për arsye se, në përvojën tonë, zhvillime të tilla kanë qenë të reja. Kemi pasur në historinë e tranzicionit vetëm 3-4 raste të tilla, ku praktikisht është përfshirë shteti. Plus që mungojnë ato që quhen strukturat e koordinimit, për këtë arsye një numër i madh zyrtarësh ose nuk kanë informacion, ose nuk janë të autorizuar për të dhënë informacion edhe për shkak se shumica e operacioneve nuk varen drejtpërdrejt nga shteti shqiptar, por varen nga partnerët ndërkombëtare dhe bashkëpunimi me ta”, tha analisti Krasniqi.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike përgëzoi ekipin e A2 për guximin e treguar me udhëtimin e tyre drejt Sirisë, një nga zonat më të pasigurta të momentit në planet, nga ku solli histori rreth një teme që shkaktoi debate, nga e cila shteti, media, por edhe opinioni publik ishin shmangur.

“Është më shumë meritë e e juaja si redaksi që dërguat gazetarët. Është interesante sepse shqiptarët kanë kohë që janë në Siri dhe shumicën e rasteve të raportimit për ta i kemi marrë të dhënat nga mediat e huaja, për t’iu referuar se sa shqiptarë janë në Siri. Fakti që shkon një kamera, fakti që pati debate mbi rastin, tregon që është një temë që jemi shmangur. Por shteti nuk duhej shmangur, media serioze nuk duhej shmangur po ashtu dhe opinion publik”, shtoi Krasniqi.

A2 CNN Livestream

Dita jonë