Shqiptarët në Siri, Felaj mohon indiferencën e shtetit: SHISH po punon

Përveç atyre në kamp, të tjerë shqiptarë janë kthyer nga Siria.

Sipas kryetares së Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ermonela Felaj, riatdhesimi ka ndodhur në heshtje. Por, Shërbimi Informativ Shqiptar ka shtuar mbikqyrjen ndaj këtyre individëve.

“Situata e këtyre shtetasve është ndjekur. Ka që nga viti 2015, që nga të dhënat tona nuk na rezulton të jenë rekrutuar shtetas të tjerë shqiptarë. Së pari, ka qenë zgjedhje e lirë e tyre për të udhëtuar drejt Sirisë dhe së dyti nuk është një situatë kaq e thjeshtë që kufizohet në marrjen dhe sjelljen në vend të tyre. Nga viti 2014 e deri më sot, ka pasur shtetas shqiptarë që nuk janë bërë publik. Aktiviteti i tyre është ndjekur me vëmendje të shtuar, pasi duke qenë të radikalizuar, përbëjnë rrezik. Operacionet për rikthimin e tyre nuk janë të thjeshta dhe as të tilla që mund të ndahen me publikun”, sqaroi Felaj.

Ndërsa Mimi Kodheli, kryetarja e Komisionit të Jashtëm kërkon më shumë vëmendje nga shteti: “Është një arritje reale mediatike, kjo është ajo çka media duhet të jetë. Duhet angazhim nga të gjitha strukturat ligjvënëse dhe ligjzbatuese, lidhur me një fenomen që ka pasur pasoja. U desh një televizion i huaj që të na sensibilizonte më tepër dhe nëpërmjet reportazhit të A2 u tregua se ka fëmijë të tjerë shqiptarë atje. Mendoj që është vepër e mirë e juaja, por ndërkohë bëj thirrje për strukturat dhe agjencitë e inteligjencës për të bashkëpunuar me aleatët tanë për të mundësuar kthimin pranë familjeve të fëmijëve që po vuajnë atje”.