
Prej 3 ditësh, A2, nëpërmjet gazetarit Julian Kasapi, ka sjellë realitetin në kampin Al-Hawl në Siri, dhe dëshmi të shqiptarëve të cilët gjenden atje.
Pikërisht këto intervista që A2 ka transmetuar kanë bërë që të kemi kontakte të shumta nga familjarë të cilët kanë njohur të afërmit e tyre nga këto video, familjarë me të cilët kishin kohë pa kontaktuar, apo për të cilët nuk kishin fare informacion se ku gjendeshin.
I ati prej kohësh rezulton i zhdukur. Në këtë kamp, vogëlushi nga Gostivari, Osama, është bashkë me motrat e vëllezër të tjerë, ndërsa e ëma kërkon ndihmë për t’u kthyer. Ka qenë xhaxhai, ai i cili e ka njohur Osamën nga ekrani A2.
I ngjashëm është dhe rasti i Elvirës nga Librazhdi, e cila nga komunikimet me të ëmën ka mësuar se gratë e familjes gjenden pikërisht në kampin Al-Hawl.
Përballë kësaj situate, e duke njohur vështirësinë e operacionit të riatdhesimit, Elvira ka kërkuar që të paktën dy motrat e saj 4 dhe 8 vjeç të kthehen sa më parë.
Nga i njëjti fshat, një kërkesë për ndihmë vjen edhe nga familja Balliu. Janë të shumtë rastet dhe kontaktimet që ne kemi pasur edhe nga familje të tjera shqiptare që i janë drejtuar studiove tona për të kërkuar mes pamjeve nëse dallonin fytyrat e të afërmve të tyre, apo duke kërkuar ndihmë në rikthimin e tyre pranë familjeve. A2 do të vijojë edhe mbrëmjen e sotme me të tjera informacione e dëshmi për shqiptarët në Siri dhe familjet e tyre këtu në Shqipëri. Në orën 21:00, drejtori i informacionit në A2, Elert Yzeiri, do të zhvillojë një bisedë në studio lidhur me këtë çështje dhe me dëshmi të tjera rrëqethëse. (A2 Televizion)