Anëtarët e rinj të Kushtetueses, betohen në Presidencë 3 anëtaret e reja – A2

Anëtarët e rinj të Kushtetueses, betohen në Presidencë 3 anëtaret e reja

Është zhvilluar në ambientet e Presidencës ceremonia e betimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. E para përpara Kreut të Shtetit është betuar Elsa Toska e cila u zgjodh nga Kuvendit për të plotësuar këtë vakancë në seancën e fundit parlamentare.

30 minuta më vonë, Presidenti Ilir Meta priti Marsida Xhaferllarin për të bërë betimin, të cilën e dekretoi një ditë më parë. Xhaferllari do të plotësojë në Kushtetuese vakancën e krijuar nga ish gjytarja Altina Xhoxhaj.

E fundit përpara presidenti Meta është betuar Fiona Papajorgji edhe kjo e zgjedhur nga Kuvendi.

Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese prej ditësh është kthyer në një moment përplasje institucionale mes Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Kuvendi njoftoi në seancën e fundit se pas skadimit të afatit për Presidentin për të bërë zgjedhjen e tij për vakancën e radhës në Kushtetuesi, Arta Vorpsi është zgjedhur automatikisht anëtare e saj, pasi ishte e para në listën e dërguar nga KED. Vorpsi, mëngjesin e sotëm zgjodhi të bëjë betimin e saj në një noteri, pasi Presidenti Meta nuk e ftoi për të bërë betimin.

Lidhur me këtë situata të krijuar, Konferenca e Kryetarëve është mbledhur dhe ka kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit ku do të prezantohet dhe një rezolutë. Sipas rezolutës së zbardhur nga A2, Kuvendi i kërkon institucioneve shqiptare të mos njohin dekretin e Presidentit Ilir Meta për të dekretuar Marsida Xhaferllarin në Kushtetuese.

Shkarkoni aplikacionin e A2