Ngërçi për Kushtetuesen, Peza: Presidenti po tenton të mbijetojë – A2

Ngërçi për Kushtetuesen, Peza: Presidenti po tenton të mbijetojë

Ringritja e Gjykatës Kushtetuese po bllokohet sërish nga një tjetër ngërç midis Kuvendit, KED dhe Presidencës.  

Sipas deputetit të Partisë Socialiste, Alfred Peza, “ajo çfarë po ndodh është mbijetesa e presidentit në detyrë,  që po bën gjithçka për të bllokuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, sepse e di që Parlamenti është në procedurë për shkarkimin e tij dhe që vendimi do të merret nga Gjykata Kushtetuese”.

Aktet e Presidentit nuk surprizojnë Pezën, “një president që ishte i interesuar për ta çuar popullin e tij në luftë me zhdekretimin e 30 Qershorit dhe i jepte zero shanse vendit për integrim në BE, nuk mund të presësh më shumë se kaq”.

I ftuar në A2, Peza mohon se emërimi dy kandidatëve ishte thjesht një manovër politike.  “Kuvendi ishte në të drejtën e saj kushtetuese, e përshëndetur nga SHBA, dhe nga Bashkimi Europian”, deklaroi ai, duke shtuar se “Presidenti përzgjedhjen duhet ta fillonte nga i pari i listës dhe jo nga fundi”.  

Peza komentoi edhe ngjarjet e fundit që vijnë nga Siria, ku pas rastit të Alvinit trupa e A2 zbuloi në kampin e al-Hawl realitetin e vështirë të grave dhe fëmijëve shqiptarë që mbahen aty.

Sipas Pezës, “Qeveria dhe institucionet shtetërore kanë të dhëna të plota mbi të gjithë shqiptarët që ndodhen atje, dhe po punon që edhe shqiptarët e tjerë të rikthehen një ditë pranë familjeve të tyre”.

Shkarkoni aplikacionin e A2