“Të harruar në Siri”, thirrjet për ndihmë dhe indiferenca e shtetit

“Të harruarit e Sirisë”, këto fjalë mund t’i përshtateshin më së miri grave dhe fëmijëve shqiptarë që mbijetojnë në kampet e pasluftës në një nga konfliktet më të ashpra të botës, ku me qindra e mijëra njerëz kanë humbur jetën.

Grupi i xhirimit i A2 udhëtoi larg për gjetjen e tyre, pas publikimit të historisë së Alvin Berishës. Një nismë që mbart rreziqet e saj për shkak të konfliktit konstant në Siri, por që ia doli të sjellë zërat e njerëzve që konsideroheshin të humbur. Gjithçka falë kurajës së gazetarit Julian Kasapi dhe operatorit Endrit Myftari, të cilët qëndruan për orë të tëra në kërkim, në një terren të pasigurt, jashtë kontrollit të forcave ushtarake turke.

Gazetari i A2, Julian Kasapi dhe operatori Endrit Myftari gjatë qëndrimit në Siri

Për ta kuptuar më qartë pasigurinë në të cilin u gjend Juli dhe Indriti, mjafton të thuhet se një shpërthim me bombë ndodhi vetëm pak metra hotelit ku ata qëndruan para hyrjes në kamp.

Për të qenë më të qartë mbi rrezikun që morën përsipër Juli dhe Indriti, mjafton të sillen raportimet e mediave më serioze ndërkombëtare, të cilat e përshkruanin kampin Al-Hawl si një kasaphanë, ku çdo ditë ndodhnin vrasje dhe konflikte.

Falë përpjekjeve për mbi 5 orë në kamp, në kërkim të të harruarve të Sirisë, pikërisht në momentet e fundit, kur forcat kurde kishin mbërritur në kamp dhe i kërkonin të dilnin, fati e desh që të gjendeshin përballë grave dhe fëmijëve shqiptarë.

Tashmë, zërat e grave dhe fëmijëve që ende jetojnë në kampin Al Hawl janë një dëshmi që nuk mund të injorohet dhe as të përcillet me indiferencë. Këto gra dhe fëmijë janë ende në kampin Al Hawl.

Valëvitja e flamurit shqiptar pas shpëtimit të Alvin Berishes, në rastin më të mirë është një tallje me shqiptarët që ndoqën me ankth operacionin e shpëtimit të vogëlushit 11-vjeçar. Në rastin më të keq, është cinizëm për dhimbjen e Elvirës, që nuk i ndal lotët për motrat e saj të mbetura në Siri.

Cinizëm për Xhetanin, që nuk kalon asnjë ditë pa qarë për nipin dhe mbesën e tij, Evën 14-vjeçare  dhe Indritin 11 vjeç, të dy të mbetur në ferrin e Sirisë. Dy fëmijët që ndihmuan Alvin Berishën t’i shkruante babait të tij dhe që vuri në lëvizje shtetin italian për ta sjellë në shtëpi.

Cinizëm për Tahir Balliun nga Dragostunja e Librazhdit, një njeri i dorëzuar tashmë për fatin e të afërmve të tij në Siri dhe që nuk i mbetet veçse të justifikojë ikjen e tyre drejt ISIS.

Shpresat janë të pakta për angazhimin e shtetit shqiptar në një mision që duket i pamundur. Vetë zyrtarëve të lartë nuk i mbetet veçse të përgëzojnë gazetarët, duke iu shmangur përgjegjësive të strukturave.

“Keni shkelur në një terren të vështirë dhe këtë e di edhe për eksperiencë personale, por mesa duket kjo nuk mjafton, pasi duhet angazhimi i të gjitha strukturave ligjvënëse dhe ligjzbatuese lidhur me një fenomen të kapërcyer tashmë prej nesh, siç ishte fenomeni i luftëtarëve të huaj. U desh një televizion i huaj që të na sensibilizonte më tepër. Ashtu siç edhe ju e keni thënë, atje ka ende fëmijë shqiptarë që kanë nevojë të riatdhesohen, të gjejnë ngrohtësinë dhe sigurinë e atdheut nga ku kanë ardhur”, tha Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit të Jashtëm.

Të paktën, kryetarja e Komisionit të Sigurisë tha për A2 se strukturat e SHISH janë në punë për një çështje të ndjeshme si ajo e të harruarve në Siri. “Duke filluar nga viti 2014-të dhe deri më sot ka pasur shtetas të kthyer shqiptarë që nuk janë bërë lajm. Ndërkohë, SHISH dhe agjenci të tjera ligjzbatuese kanë qenë vazhdimisht në monitorim të këtyre personave”, është shprehur Ermonela Felaj.

Shpëtimi i të harruarve nga kampi famëkeq Al Hawl në Siri, për ekspertët e sigurisë është një zhvillim që zvogëlon kërcënimin për Shqipërinë. Duke folur në transmetimet speciale të A2, ata i bëjnë thirrje shtetit që ta shqyrtojë me kujdes këtë çështje dhe të mos bëhen, pa dashur, nxitës të ekstremizmit.

Duhej sinqeriteti i Pandeli Majkos për të pranuar se Shqipëria, që pretendon se ka bërë shtet, është më e pafuqishme se një gazetar. “Është mungesë eksperience. Gazetarët kanë disa cilësi të tjera, diplomatët kanë disa cilësi të tjera. Sot që ne flasim, Siria është shesh lufte dhe mund të mbanim përgjegjësi nesër për dikë që mund të humbiste jetën. Nuk po them se jeta e një gazetari kushton më pak apo më shumë, por ndonjëherë burokracitë e institucioneve të ndryshme duhet të mësohen që të jenë po aq fleksibël sa janë gazetarët e guximshëm dhe të mos mbyllen nëpër zyra. Por mendoj se fakti që ministri i Brendshëm shkoi në krye të aksionit për rastin e Alvinit edhe për raste të natyrave të tilla do të ketë të njëjtin angazhim”, tha Pandeli Majko, ministër për Diasporën.