Meta do të bëjë kallëzim penal kundër kreut të KED: Ka marrë përsipër të realizojë një akt mafioz – A2

Meta do të bëjë kallëzim penal kundër kreut të KED: Ka marrë përsipër të realizojë një akt mafioz

Presidenti Ilir Meta tha se të hënën do të paraqesë kallëzim penal për kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranit, për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim titulli apo detyrës shtetërore”.

“Është konstatuar disa shkelje përgjatë ushtrimit të detyrës nga kryetari Ardian Dvorani, që kapërcejnë kufijtë e shkeljes disiplinore, por hyjnë në karakterin që është e detyrueshme nisja e procedimit penal”, tha Presidenti. “Ai me dashje ka shpërdoruar funksionin publik dhe ka marrë përsipër të realizojë një akt mafioz”.

Presidenti i bëri thirrje Prokurorisë që në këtë moment të rëndësishëm të tregojë integritet dhe të hetojë të gjithë personat e përfshirë.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Kryeministrit Rama që të mos i keqpërdorë më Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Kushtetutën e kemi bërë me SHBA, BE dhe Komisionin e Venecias. Përndryshe do të ketë hetim ndërkombëtar për këtë çështje. Do të ketë edhe dënim ndërkombëtar, pasi u bllokua për dy vjet KED”, tha Meta.

Meta shtoi se nuk ka institucion në botë që mund të dalë mbi dekretin e Presidentit. “Nëse ka një institucion të tillë do të dëgjoni dhe përgjigjen e Presidentit, këtë Kushtetutë e kemi bërë me ekspertë partnerë dhe Venecian. Boll janë tallur me Kushtetutën e këtij vendi që është miratuar me konsensus”, tha ai.

Meta sqaroi edhe pse kishte preferuar të zgjidhte zonjën Xhaferllari në vend të Vorpsit. “Preferova Xhaferllarin sepse kam qenë i bindur në integritetin e saj. E ka treguar integritetin e saj sepse ka respektuar frymën e Kushtetutës më mirë se kushdo tjetër duke kandiduar vetëm për një vakancë. Nuk është normale të kandidosh për 4 vakanca kur ato janë të ndryshme. Për zonjën Vorpsi kam pasur një rezervë, ka qenë anëtare e grupit të ekspertëve të lartë për Reformën në Drejtësi për Gjykatën e Lartë. Për këta ekspertë kur të bëheshin kandidimet nuk do të përfshiheshin në ngritjen e këtyre institucioneve, ishte një marrëveshje xhentëlmenësh”, tha Meta.

Shkarkoni aplikacionin e A2