Pasuritë e krimit, Kryeprokurori i antimafias: Sfidë mafiozët me kravatë – A2

Pasuritë e krimit, Kryeprokurori i antimafias: Sfidë mafiozët me kravatë

Gjatë një konference mbi administrimin e pasurive të sekuestruara e konfiskuara të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori Kombëtar i Antimafias italiane, Frederico Cafiero De Raho konsideroi si sfidë pengimin e infiltrimit të parave të pista në ekonominë e ligjshme.

“Është objektiv i rëndësishëm vënia në dukje e infiltrimit të krimit të organizuar në institucione, infiltrimi në ekonominë e ligjshme, infiltrimit nga ndërmjetës, apo subjekte në dukje pa probleme që ligjërojnë mafiozët me xhaketë dhe kravatë, që janë tashmë të diplomuar, që janë të zotë në profesionin që ushtrojnë,  që përcaktojnë koperturat. Sot lufta ndaj krimit të organizuar është akoma më e vështirë. Bëhet e vështirë nga kamuflimi i kriminalitetit”, tha De Raho.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila ka në varësi Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara tha se nga viti 2011 kjo agjenci administron 920 pasuri të sekuestruara dhe konfiskuara me një vlerë prej gati 7 miliardë lekësh në total.

Sipas ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara të krimit duhet të japë një mesazh. “Çfarë është vjedhur nga shoqëria, duhet t’i kthehet pas shoqërisë”. 

Më herët, nga ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, prokurori De Raho dhe ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj vlerësuan rëndësinë e regjimit të posaçëm “BIS 41”, që ka si qëllim izolimin e kriminelëve të rrezikshëm. Për kreun e Shërbimit Informativ, ky lloj regjimi është vendimtar në shkëputjen e terrorizmit nga krimi i organizuar. 

Shkarkoni aplikacionin e A2