Shqipëria kundër kampionëve të botës, policia publikon planin e masave – A2

Shqipëria kundër kampionëve të botës, policia publikon planin e masave

Shqipëri do të presë mbrëmjen e të dielës Francën, kampione e botës, ndeshje e cila do të jetë inauguruese për stadiumin e ri Kombëtarë.

Ky takim është edhe një sfidë për policinë, e cila për herë të parë duhet të organizojë një ndeshje të përmasave të tillë, ku pritet të jenë rreth 22 mijë tifozë, si asnjëherë më parë.

Mëngjesin e së shtunës, policia ka publikuar edhe planin e masave për këtë ndeshje e cila do të nisë në orën 20:45, ndërsa hyrja e tifozëve në stadium do të fillojë që në orën  18:30.

Sa i përket lëvizjes së automjeteve në zonën në afërsi të stadiumit “Arena Kombëtare”, do të jenë të lira vetëm akset rrugore “Rruga e Elbasanit” dhe Unaza, në të dy drejtimet e lëvizjes së saj. Në të gjitha rrugët hyrëse në këtë zonë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve.

Parkimi dhe qëndrimi i automjeteve në zonën e mësipërme nuk do të lejohet. Të gjitha automjetet që janë të parkuara brenda zonës së mësipërme, nga ora 12:00 e datës 17.11.2019 duhet të largohen.

Automjetet e autorizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit duhet të jenë të pajisura me shenjën dalluese në xhamin e përparmë dhe do të hyjnë nëpërmjet bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek Ura e Lanës, Libri Universitar dhe Presidenca, me drejtim sheshin “Nënë Tereza” – Rektorati i UT. Në këtë pikë kontrolli për të gjitha automjetet do të bëhet kontrolli antieksploziv i tyre.

Për parkim të automjeteve në qytetin e Tiranës do të përdoren këto vende:

Automjetet që vijnë nga Elbasani: autobusët do të parkohen në sheshin e lokal “Calvin”, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Fakultetit Ekonomik.

Automjetet që vijnë nga Rruga e Durrësit: autobusët do të parkohen tek ish-dogana, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, si dhe te parkingu nëntokësor në sheshin “Skënderbej”.

Automjetet që vijnë nga “Rruga e Kavajës”: autobusët do të parkohen në Kombinat – Qyteti i Nxënësve, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.

Pikat e kontrollit dhe orientimi i tifozërisë: Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, Policia e Shtetit do të bllokojë nga ora 17:30 të gjithë zonën rreth stadiumit “Arena Kombëtare”. Për këtë do të ngrihen pika kontrolli, për të  orientuar tifozërinë që sipas sektorëve të biletave të drejtohen për hyrjen në stadium dhe konkretisht: Pika e kontrollit midis Rektoratit dhe Mak Albania Hotel: do të hyjnë vetëm tifozët francezë me biletën në sektorin“S” (Jug), si dhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja.

Pika e kontrollit tek kolonat midis Rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik: do të hyjnë vetëm tifozët VIP me biletën në sektorin“Ë” (Perëndim).

Pika e kontrollit midis Pallatit të Kongreseve dhe Hotel Rogner: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).

Pika e Kontrollit tek COIN: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).

Pika e Kontrollit tek “Piceri Fiore” në rrugën “Dervish Hima”: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“E” (Lindje).

Ndërkohë, në njoftim tifozëve u kujtohet edhe Kodi Penal i ndryshuar, i cili parashikon deri 3 vite burg për vepra penale si “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive”.

Shkarkoni aplikacionin e A2