“Shqipëria punon tokën”, fshati vjen në sheshin Skënderbej – A2

“Shqipëria punon tokën”, fshati vjen në sheshin Skënderbej

Fshati mori jetë në zemër të kryeqytetit këtë fundjavë, kur u zhvillua panairi “Shqipëria punon Tokën”. Rreth 400 fermerë dhe sipërmarrës nga të gjitha trevat e vendit ekspozuan prodhimet dhe shërbimet e tyre në këtë vitrinë të bujqësisë shqiptare.

Hapësira e gjelbër e sheshit Skënderbej u kthye në një fermë të vogël, që tërhoqi vëmendjen e të gjithë vogëlushëve, shumë prej të cilëve shihnin kafshët për herë të parë nga afër.

“Made in Albania” apo “Prodhuar në Shqipëri” ishte kryefjala në të gjitha etiketat e produkteve, mallra të destinuara si për eksport, ashtu edhe për tregun vendas. Ndaj nga shumë, panairi u pa një mundësi e mirë për të bërë blerje të lira.

Muzika shoqëroi në sfond të gjithë eventin, që u pasurua me shfaqje gatimi, “workshop”-e dhe koncerte. Ky ishte edicioni i tretë i këtij panairi, që po tërheq çdo vit më shumë vëmendjen e qytetarëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2