Spektakël në Arenën Kombëtare, por Franca është superiore, fiton lehtë 0-2 – A2

Spektakël në Arenën Kombëtare, por Franca është superiore, fiton lehtë 0-2

Shumë e fortë, tepër për Shqipërinë. Mund të kesh nga ana jote edhe një nga stadiumet më të mira në Ballkan, publikun që të mbështet nga minuta e parë deri në fund, por kur përballesh ndaj kampionëve të botës, këto faktorë nuk shmangin humbjen.

Koha kur Shqipëria fitonte ndaj francezëve me anë të një supergoli të Kaçes në Elbasan Arena duket e largët, pothuajse legjendare.

Kuqezinjtë nuk janë padyshim në formën e tyre më të mirë, vijnë nga një barazim  i pamenduar 2-2 me modestët e Andorrës, por sfida kundër Francës i vuri përballë një muri tepër të lartë për t’u kapërcyer, ku djemtë e Edi Rejas treguan defekte në mbrojtje dhe në cilësinë e përgjithshme nga të cilët një ekip elitar nuk mund të mos përfitojë.

Pas spektaklit të vërtetë që parapriu sfidën dhe përuroi Arenën Kombëtare, e denjë për një finale europiane,  Shqipëria u kthye në realitet që në minutat e para të sfidës. Djemtë e Deschamps kërkojnë vendin e parë në grup dhe nuk tolerojnë, duke kaluar në avantazh që në minutën e 8-të me anë të mesfushorit të Bayern Munich Tolisso.

Kombëtarja tenton të reagojë,  Hysaj shpërdoron një rast në kundërsulm, por duket qartë që francezët sa herë që rrisin ritmin e lojës, mund të shkojnë përballë portierit Berisha.

Ashtu siç ndodh në minutën e 30-të, ndoshta në periudhën më të mirë për tanët, ku Griezmann devijon me lehtësi një kros të Dubois dhe dyfishon.  

Ndeshja praktikisht mbaron këtu, por jo rastet. Por edhe në pjesën e dytë, janë sërish francezët që kanë rastet më të mira, dhe ku padyshim lojtari shqiptar më i miri është Etrit Berisha, që shpëton disa herë portën e tij. Aty ku Berisha nuk mund të bëj asgjë, është shtylla ajo që na fal nga një humbje më të rëndë.

Me humbjen e sotme, Shqipëria i mbyll kualifikueset me 13 pikë dhe në vendin e katërt, sipër vetëm Moldavisë dhe Andorrës.

Para përballjes së Kombëtares Kuqezi me kampionët e botës së Francës, një spektakël plot muzikë dhe koreografi ka karakterizuar minutat para ndeshjes.

Këngëtarë të ndryshëm kanë performuar në tapetin e gjelbër, ndërkohë që nuk kanë munguar as fishekzjarrët.

Në tribunë ndodhen autoritetet më të larta shtetërore, ku spikasin kryeministri Edi Rama dhe presidenti i UEFA Alexander Ceferin.

Shkarkoni aplikacionin e A2