Tension i lartë te Ferrari pasi Vettel dhe Leclerc nxorën nga gara e Brazilit njëri-tjetrin kur duheshin edhe 5 xhiro nga fundi.
Një prekje mes pilotëve që mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet e tyre për vitin që vjen. Një marrëdhënie e nderë pas keqkuptimeve mes tyre edhe në Itali, Singapor dhe Rusi.
Në luftë për vendin e katërt, Leclerc parakaloi Vettelin në kthesën e parë dhe gjermani tentoi ta parakalonte sërish me DRS në vijën e drejtë përpara kthesës 4. Aty ndodhi kontakti që çoi në shpimin e gomave të të dy pilotëve dhe braktisjen e garës.
Në radio, reagimi ishte pothuajse i njëjtë nga të dy. Vettel u tregua pak më i ashpër: “U shpua goma, çfarë dreqin po bën ai? Më vjen keq. Duhej patjetër kjo? Çfarë budallallëku”.
Piloti nga Monako u shpreh kështu në radio: “Oh, Zot i madh. Çfarë dreqin ndodhi. Mos”!