Fiskalizimi, gjoba progresive për bizneset me shkelje – A2

Fiskalizimi, gjoba progresive për bizneset me shkelje

Kush nuk do të respektojë fiskalizimin, do të ndëshkohet me gjobë nga Tatimet. Ministria e Financave ka paraqitur në Kuvend ndryshimet ligjore që përcaktojnë masat administrative që përfshijnë biznesin, furnitorët, kompanitë e software-it, por edhe konsumatorët.

Çdo individ që nuk merr faturën tatimore dhe nuk ia tregon atë punonjësit tatimor, do të ndëshkohet me një gjobë prej 2 mijë lekësh.

Për bizneset, vlera e gjobës do të jetë progresive në bazë të xhiros. Kështu gjobat do të variojnë nga 50 mijë lekë për biznesin e vogël, në 100 mijë lekë për bizneset e regjistruara për TVSH dhe tatimin e thjeshtuar për fitimin; dhe deri në 150 mijë lekë për bizneset e mëdha.

Këto gjoba vlejnë për mungesën e pajisjeve fiskale, moslëshimin e faturës elektronike, moslëshimin e kuponit, mosprintimin e faturës, mungesën e faturave shoqëruese për lëvizjet e mallrave, si edhe për mbajtjen e parasë fizike mbi limitin e arkës.

Për përsëritjen e shkeljeve të mësipërme vlera e gjobës do të dyfishohet deri në bllokimin e aktivitetit dhe në ndjekje penale nëse kapet mbi 3 herë në shkelje.

Shkarkoni aplikacionin e A2