Mijëra vetë në shesh, Greqia përkujton revoltën studentore të vitit 1973 – A2

Mijëra vetë në shesh, Greqia përkujton revoltën studentore të vitit 1973

Si çdo vit, grekët marshojnë në rrugët e Athinës me flamurin e përgjakur në duar, në përkujtim të revoltës studentore të vitit 1973.

Në 17 nëntor të 1973-shit, qindra student grekë zhvilluan protesta në Politeknikumin e Athinës kundër diktaturës ushtarake, që sundoi nga 1967 deri në 1974-n. Dhjetëra të rinj u vranë kur qeveria dërgoi ushtrinë dhe tanket për të shtypur protestën.

Ngjarja është kthyer në një simbol të lirisë dhe marshimi përfundon zakonisht pranë ambasadës amerikane, e cila sipas një opinion të përgjithshëm ne vend mbështeti diktaturën.

Ky ishte marshimi i parë që prej rrëzimit të një ligji kontrovers që ndalonte hyrjen e forcave të rendit në ambientet universitare. Mbi 20 mijë vetë marshuan nga Politeknikumi deri në ambasadën amerikane, mes masave të ashpra te sigurisë.

“Politeknikumi është më koherent se kurrë. Orgjia e shtypjes së qeverisë gjatë javëve të fundit, sulmi ndaj të drejtave themelore të studentëve, janë probleme të rëndësishme sot e kësaj dite”, u shpreh Marios Nathanailidis.

Përleshje të dhunshme shpërthyen gjatë mbrëmjes e të paktën 28 vetë u vunë në pranga. Sipas mediave lokale, të arrestuarit gjendeshin në çatinë e një godinë, me maska kundërgaz, bomba Molotov dhe gurë.

Shkarkoni aplikacionin e A2