Ambasada Amerikane: Media mund të kontribuojë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar – A2

Ambasada Amerikane: Media mund të kontribuojë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar

Ambasada Amerikane në Tiranë, me anë të një postimi në Facebook, shprehet se media “mund të ndihmojë për një gjyqësor të përgjegjshëm dhe mund të kontribuojë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Ambasada e SHBA thekson se lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së saj dhe për këtë arsye ka një sërë nismash që do të nënvizohen çdo javë, duke ndarë më tej edhe eksperiencën e 8 gazetarëve shqiptarë të kronikës së zezë të ftuar në SHBA për të mësuar mbi rolin e medias amerikane në shtetin ligjor, mes të cilëve edhe gazetari i A2, Armand Bajrami.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Çdo javë do të nënvizojmë një nismë që kemi ndërmarrë për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. Këtë javë, mësoni se si media mund të ndihmojë për një gjyqësor të përgjegjshëm dhe mund të kontribuojë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në tetor, Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA dërgoi një grup me tetë gazetarë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara për të mësuar mbi rolin e medias amerikane në shtetin ligjor. Kur u kthyen, gazetarët biseduan me zyrtarë të ambasadës për të ndarë përvojën e tyre në Shtetet e Bashkuara”, lexohet në postimin e Ambasadës Amerikane.

Shkarkoni aplikacionin e A2