Basha: Rama po bën grusht kushtetues, javën e ardhshme konkretizojmë propozimet për Reformën Zgjedhore – A2

Basha: Rama po bën grusht kushtetues, javën e ardhshme konkretizojmë propozimet për Reformën Zgjedhore

Pas takimit në Presidencë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zbuloi atë që u diskutua. “U njohëm me provat tronditëse për ndërhyrjen flagrante të Kryeministrit në procesin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Këto vërtetojnë se qëllimi i vetëm i tij është kapja e Gjykatës Kushtetuese”, tha Basha. “PD dhe aleatët e kanë konsideruar prej fillimit një grusht kushtetues, por edhe një provë më shumë se Reforma në Drejtësi është e rrezikuar”.

Sa i përket Reformës Zgjedhore dhe Basha tha se prej më shumë se katër muajsh Edi Rama ka refuzuar ndërmjetësimin ndërkombëtar.

“Shtyrja e afatit të punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore është përpjekje për t’i hedhur hi syve shqiptarëve. Opozita nuk kërkon shtyrjen e Reformës Zgjedhore”, tha Basha. “Javën e ardhshme opozita do të konkretizojë produktin e saj, që është dokumenti strategjik për Reformën Zgjedhore, në amendamente përkatëse në të gjitha ligjet për ndërhyrjet e nevojshme në këto ligje, pra propozimin e plotë për Reformën Zgjedhore”.

“Nuk ka asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare si rrugëdalje e Shqipërisë nga kriza. Do të vazhdojmë të insistojmë në këtë kërkesë të pandryshueshme të opozitës, duke ju bërë thirrje edhe qytetarëve shqiptarë, për të marrë më pas të gjitha hapat e mëtejshëm. I pyetur nga A2 nëse do të ftojë mazhorancën për t’i prezantuar këto propozime, Basha u përgjigj se për këtë do të këtë do të ketë një njoftim të mëvonshëm”, tha kreu i PD.

Shkarkoni aplikacionin e A2