Financat e partive dhe fushata, PD propozon financim nga qeveria, Gjoni refuzon – A2

Financat e partive dhe fushata, PD propozon financim nga qeveria, Gjoni refuzon

OSBE mblodhi tryezën e dytë për reformën zgjedhore, ku u diskutua financimi i partive dhe fushatave elektorale.

Bashkëdrejtuesi socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, i pyetur nga A2 mbi propozimin e PD për të financuar fushatën vetëm nga buxheti i Shtetit kërkoi që demokratët të paraqesin propozime konkrete në Komision.

“Ne e presim PD-në të vijë me propozime konkrete në procesin e Reformës Zgjedhore dhe në momentin që të shohim propozime të shkruara do të shprehemi në lidhje me to. Ne e mirëpresim PD-në në tryezë”, tha Gjiknuri.

Ndërkohë, eksperti për çështjet zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, pas diskutimeve në tryezë, sqaroi propozimin e demokratëve për çështjen e financimit të partive.

“E rëndësishme është që financimi i partive të kufizohet. Sigurisht që propozimi jonë për financim 100% publik të partive politike, është një propozim drastik që kërkon edhe rritjen e kapaciteteve dhe mekanizmave monitorues të institucioneve ligjzbatuese dhe rritjen e performancës së tyre. Ne jemi të shprehur të gatshëm të diskutojmë edhe formula të tjera”, tha Kaso.

Propozimi i PD-së për një financim 100% nga Shteti të fushatave elektorale nuk është mirëpritur nga një pjesë e opozitës parlamentare. Reporterja e A2, Marsela Karapanço bisedoi për këtë me Ralf Gjonin e grupit parlamentar të pavarur. “Financimi i partive politike dhe i fushatave zgjedhore është ana më e errët e politikës shqiptare. Këto para duhet të kanalizohen në kanale zyrtare. Është e çuditshme që një parti që pretendon se është e djathtë kërkon financim 100 përdind nga shteti. Standardet europiane imponojnë një ekonomi mikse. Unë personalisht nuk e mbështes këtë propozim, por jemi të gatshëm t’i dëgjojmë edhe në komisionin për Reformën Zgjedhore”, tha Ralf Gjoni.

Shkarkoni aplikacionin e A2