Meta nënshkroi padinë ndaj tij, reagon kreu i KED – A2

Meta nënshkroi padinë ndaj tij, reagon kreu i KED

Presidenti Ilir Meta nënshkroi këtë të martë kallëzimin penal ndaj kreu të KED, Ardian Dvorani. Sipas asaj që tha vetë Presidenti të premten, padia do të bëhet për dy akuza, “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim titulli apo detyrës shtetërore”.

Ndërkohë ka reaguar menjëherë edhe Dvorani, i cili thotë se prej ditësh Meta me tone të larta e kërcënuese e paralajmëronte këtë nismë, e cila është një detyrim kushtetues, thotë Dvorani, si kushdo tjetër, duhet ta përmbushë kur mendon se ka marrë dijeni për një vepër penale.

“Prandaj, ndryshe nga sa ndodhi edhe sot, ku rëndom si herë të tjera publiku është mësuar që tëshikojë funksionarë të lartë publikë e politikë që e shesin për heroizëm përpara kamerave dhe mikrofonave mediatikë paraqitjen përpara prokurorit e gjykatës, që në fakt është detyrim ligjor dhe jo zgjedhje e tyre, unë do ti bindem urdhërimeve dhe kërkesave të organit të prokurorisë për të dhënë shpjegimet përkatëse mbi faktet e të vërtetën, si edhe ligjin e zbatueshëm lidhur me to, ashtu siç e bën pa zhurmë e bujë çdo qytetar i zakonshëm i këtij vendi”, thuhet ndwr tw tjera nw reagimin e Dvoranit.

Më tej, kreu i KED thekson se kallëzimi bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve të cilat janë të pavërteta.

“Paraprakisht, për aq sa për momentin më rezulton nga media, mund të shprehem vetëm se ky kallzim penal, ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai. Nga ana tjetër, për momentin, parashtroj publikisht se, edhe vetë sjelljet dhe veprimet e mia, qoftë edhe ato të pavërteta por të dëshiruara si të tilla nga kallëzuesi, janë të tilla në natyrë që jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë vepër penale, por as edhe ndonjë shkelje tjetër të ligjit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2