Meta takon opozitën jashtëparlamentare. Burimet: Diskutohet dhe shpërndarja e Parlamentit – A2

Meta takon opozitën jashtëparlamentare. Burimet: Diskutohet dhe shpërndarja e Parlamentit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta e nisi mëngjesin e së martës me një takim me krerët e opozitës së bashkuar, të cilët i kishte ftuar në Presidencë disa ditë më parë, pas zhvillimeve të fundit me dekretimet në Gjykatën Kushtetuese.

Të pranishëm në këtë takim me Kreun e Shtetit, ishin të pranishëm Lulzim Basha, Madhi, Shehi, Dule, Ndoka etj, ndërsa u vu re mungesa e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, e cila u përfaqësua nga nënkryetari i Partisë, Petrit Vasili.

Burime nga Presidenca bëjnë me dije se në takimin me krerët e opozitës jashtëparlamentare, Ilir Meta bisedoi për Gjykatën Kushtetuese dhe Reformën Zgjedhore.

Presidenti ndau shqetësimet me opozitën e bashkuar për atë që po ndodh sipas tij me Gjykatën Kushtetuese dhe kërkoi reagimin e faktorit ndërkombëtar për këtë gjë. Ai kërkoi gjithashtu angazhimin e opozitës për reformën zgjedhore.

Të njëjtat burime shtojnë se Kreu i Shtetit, nuk përjashtoi mundësinë e shpërndarjes së parlamentit nëse vijohet me të njëjtin skenar për Gjykatën Kushtetuese.

Pas opozitës Meta ka planifikuar edhe disa takime mes të tjerash me Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë, një organizatë e pavarur, jo fitimprurëse, themeluar së fundmi nga një grup ish-ambasadorësh, president i të cilit është Besnik Mustafaj, ish-ambasador i Shqipërisë në Francë dhe ministër i Jashtëm në qeverinë “Berisha”.

“Presidenti theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues. Kreu i Shtetit përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione. Presidenti Meta vuri në dukje se përmbushja urgjente e kushteve të Bundestagut është e vetmja rrugë e sigurt për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhe për ndalimin e shpopullimit dramatik të vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencën në lidhje me këtë takim.

Shkarkoni aplikacionin e A2