“Zhduket” Sidnej, tymi i zjarreve mbulon qytetin australian – A2

“Zhduket” Sidnej, tymi i zjarreve mbulon qytetin australian

Pamje të tilla nuk janë pjesë e ndonjë filmi, por janë reale. Erërat e fuqishme ushqyen mbi 100 vatra zjarri përreth brigjeve lindore të Australisë duke mbuluar Sidnejn me tym helmues dhe duke shkaktuar paralajmërime për shëndetin, në qytetin më të populluar të këtij shteti.

Australia është pre’ e zjarreve të fuqishme në verën e thatë dhe me temperatura të larta, por flakët erdhën më shpejt këtë vit. 

“Nuk kemi parë kurrë diçka të tillë. Bën të mundur të shkrepim fotografi të bukura me diellin, por kjo është e vetmja gjë e mirë e kësaj situate. Hedhim vështrimin nga qyteti, por nuk mund ta shohim atë. Është e tmerrshme”, thonë banorët.

Këtë muaj, zjarret kanë djegur 1 milion hektarë tokë bujqësore dhe pyje si dhe shkatërruar mbi 300 shtëpi. Erërat e fuqishme kanë zhvendosur tymin helmues të 130 vatrave për në qytetin me 5 milionë banorë, duke vështirësuar frymëmarrjen dhe shikimin.

Autoritetet theksojnë se ndotja e ajrit arrin në disa vende deri në 10 herë më shumë se niveli normal.

Objekte ikonike të Sidnejt si ura “Harbour” dhe Shtëpia e Operas u mbuluan nga retë e mëdha të tymit, ndërsa Departamenti i Shëndetit këshilloi qytetarët që të shmangin daljet nga banesat.

Shkarkoni aplikacionin e A2