Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 17%
  • Më i zënë në punë 67%
  • Ndihmon në shtëpi 17%

Kush e ka fajin për kreditimin anemik? Ekspertët përgjigjen në A2 Business Week

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2019, 21:46 | Ekonomi
Kush e ka fajin për kreditimin anemik? Ekspertët përgjigjen

Nëpërmjet kredive që bizneset dhe individët marrin nga bankat financohet rreth 80% e ekonomisë shqiptare. Por, vitet e fundit, marrëdhënia mes palëve ka qenë e ngurtë dhe pasojat janë reflektuar tek një ngërç në ecurinë e ekonomisë së përbashkët.

Bankat janë treguar të tërhequra në financimin e projekteve të biznesit dhe qytetarëve, pavarësisht fondeve të konsiderueshme që kanë, favorizuar edhe nga rritja e depozitave. Nga ana tjetër, bizneset nuk kanë guxuar të paraqesin projekte ambicioze investimi dhe kanë tkurrur kërkesën. Ndërsa qytetarët u drejtohen bankave kryesisht për të marrë një kredi për shtëpi. Edhe pse potencialet për një bashkëpunim më efektiv mes palëve ekzistojnë, sërish marrëdhënia mbetet e ngurtë.

Këtu ndikon jo pak edhe situata e përgjithshme e ekonomisë me ngadalësimin e konstatuar dhe risqet e shtuara. Të dhënat zyrtare tregojnë se pavarësisht një gjallërimi të kreditimit këtë vit, sërish huadhënia mbetet anemike. E për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë dhe në bashkëpunim me sistemin bankar ka hartuar një platformë për të nxitur kreditimin.

Në studion e A2 Business Week, Deniz Deralla, drejtor i Mbikqyrjes në Bankën e Shqipërisë, shprehet se bankat janë më të kujdesshme pas bumit të kreditimit të periudhës 2008-2010, që solli trendin e kredive të këqija.

Ndërsa Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, nuk është dakord me mendimin se bankat nuk po japin kredi.

“Ristrukturimi i bankave pati efektet e veta në këto dy vitet e fundit, ka krijuar perceptimin sikur kreditimi nuk shkon mirë, sikur bankat nuk po japin… Jepen disa shifra sipas bilanceve, por që të bësh analizën duhet parë edhe koha. Bankat kanë përballuar humbjet nga kreditë e këqija, por kanë mbajtur edhe të njëjtën kërkesë në treg duke zëvendësuar kreditë që hiqeshin nga librat dhe duheshin zëvendësuar me të reja”, theksoi Brumbulli.

Por, sipas Fatos Çoçolit, ekspert i çështjeve ekonomike, përveç faktit që bankat janë bërë më të kujdesshme, është edhe kriza politike që e pengon kreditimin.

“Sistemi bankar është bërë më i përgjegjshëm, më i besueshëm në sytë e opinionit, por politika ka krijuar shumë paqartësi. Niveli i kreditimit do të ishte shumë më i madh sot po të mos kishim këto kriza politika”, deklaroi Çoçoli.

Ai nënvizoi gjithashtu se ekonominë tonë do ta ndihmonte rritja e përdorimit të lekut: “Duhet rritur përdorimi i lekut. Duhet ndaluar këmbimi valuator përtej strukturave ligjore, ashtu siç e kanë bërë edhe vendet e tjera. Banka jonë po përpiqet për këtë, por do një ndërhyrje jashtë sistemit”.

Në lidhje me letrën që u është dërguar bankave nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, Brumbulli tha: “Politika duhet të bëjë punën e vet, nuk duhet të përfshihet në çështjet e biznesit. Politika duhet të krijojë qetësi në sektor dhe të mos ecë me politika që kundërshtojnë njëra-tjetrën nga një mandat në tjetrin”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani