Ambasada e SHBA: Telefonatë Palmer-Meta – A2

Ambasada e SHBA: Telefonatë Palmer-Meta

Ambasada e SHBA ka konfirmuar një telefonatë midis të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer dhe Presidentit Meta.

Ende nuk është e qartë çfarë është diskutuar në këtë telefonatë, por mëngjesin e sotëm, Ambasada e SHBA në Tiranë doli me një reagim në lidhje me situatën e krijua për ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, ku fton palët ta çojnë çështjen në Komisionin e Venecias.

“Institucionet gjyqësore shqiptare, kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre interpretimeve të debatuara. Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi interpretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias”, shton ambasada.

Pasi ambasada amerikane konfirmoi bisedën telefonike Meta-Palmer, edhe Presidenca e zyrtarizoi atë, duke shtuar se ishte kërkuar nga diplomati amerikan dhe kishte zgjatur 30 minuta. Presidenca u shpreh gjithashtu e gatshme të publikonte transkriptin e bisedës, nëse amerikanët do ta autorizonin.

Komunikimi mes Metës dhe Palmer u konfirmua për A2CNN edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Nga ana tjetër, Presidenca bëri të qartë se nuk e pëlqen idenë për t’i kërkuar interpretim Komisionit të Venecias, që përveç amerikanëve dhe Brukselit është hedhur edhe nga ambasadori Italian Cutillo.

Shkarkoni aplikacionin e A2