KPA e shkarkon, Besnik Muçi: Vendimi nuk prek funksion tim të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese – A2

KPA e shkarkon, Besnik Muçi: Vendimi nuk prek funksion tim të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese

Besnik Muçi gjatë seancës së rivlerësimit në KPA (FOTO: LSA)

Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra Besnik Muçin, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese të emëruar nga Presidenti Meta pak ditë më parë. Por në një dalje për mediat, pas vendimit, vetë Muçi tha se ky vendim nuk prek funksion e tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Subjekti ka cenuar besimin e publikut”, tha relatori i çështjes në KPA. “Subjekti ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë. Vendimi i KPK duhet ndryshuar”.

Pas vendimit të KPA, në mbledhjen e radhës të Këshillit të Lartë të Prokurorisë pritet që Besnik Muçit t’i hiqet edhe statusi i prokurorit. Sipas burimeve të A2, të hënën e ardhshme, kur KLP do të mblidhet për të emëruar 8 prokurorët e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, KLP do të vendosë edhe në lidhje me Muçin.

“Lidhur me pasurinë apartament 57 m2, blerë në 2016 me vlere 1.9 mln lekë, për krijimin e të cilës KP pretendon se subjekti dhe personat e lidhur nuk justifikon, KPA vlerëson se subjekti nuk provon ligjshmërinë e huave të marra nga babai, vëllai e motra e tij.

“Subjekti është në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm. Lidhur me shkakun e ankimit të mos deklarimit të pasurisë së personit të lidhur, bashkëshortja, rezulton se në vitin 1991, subjekti dhe e shoqja kanë përfituar pasuri nga ligji7501, KPA vlerëson se subjekti dhe bashkëshortja nuk ka  deklaruar me saktësi pasurinë. Për pasojë, subjekti gjendet në situatën e deklarimit të pamjaftueshëm.

Lidhur me shkakun e ankimit për mos justifikim të shpenzimeve për vitet 2003-2006 subjekti nuk i justifikoj në burime të ligjshme. Subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm”

KPA

“KPA vlerëson se marrëdhënia shoqërore e posaçme me A.L. për të cilin subjekti e dinte që ishte i përfshirë në konflikte me persona të tjerë ku janë përdorur dhe armë zjarri, rast për të cilin është gjykuar për “moskallëzim krimi”.

Privilegjet e përfituara gjatë blerjes së apartamentit tek ky person dhe mënyrës së pagesës, konsiderohet se subjekti ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Përfundimet e mësipërme u vlerësuan të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se subjekti Besnik Muçi nuk mund të ketë besimin e publikut”

KPA për pastërtinë e figurës

Me shkarkimin e Muçit, Gjykata Kushtetuese bën një hap pas, pasi mbetet me katër anëtarë, nga nëntë që duhet të ketë në total.

Shkarkoni aplikacionin e A2