Shqiptarët në Siri, Vurmo: Shteti duhet të komunikojë me familjarët dhe mediat

vurmo 1100x620

Gjergji Vurmo, drejtor i programeve në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, i ftuar në studion e A2, deklaroi se ka ardhur momenti që shteti shqiptar “të ketë një komunikim më serioz dhe të vazhdueshëm me mediat dhe familjarët e personave që ndodhen sot në Siri”.

“Ky do të ishte hapi i parë për të nisur një rrugëtim më të qëndrueshëm në procesin e rikthimit dhe mbi të gjitha të riintegrimit në shoqërinë shqiptare të tyre. Rasti i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ndryshon nga ajo e vendeve perëndimore. Në rastin tonë kemi të bëjmë me proces manipulimi dhe me qytetarë të këtij vendi që kanë lindur dhe kanë jetuar këtu. Në vendet perëndimore kemi të bëjmë me emigrantë të natyralizuar. Shqiptarët e Sirisë do të kthehen në atdheun e tyre, jo në atdheun e dytë apo të tretë siç ndodh në Angli për shembull”, shpjegoi Vurmo.

Më tej, Vurmo theksoi se njerëzit janë pro kthimit të shqiptarëve që ndodhen sot nëpër kampet siriane.

“Sipas sondazheve tona, janë mbi 60% e shqiptarëve që duan kthimin dhe riintegrimin e tyre. Kur flasim pastaj për fëmijët, nuk ka pikë dyshimi që janë viktimat më të mëdha të kësaj sage. Institucionet shqiptare kanë mbështetjen nga opinioni publik për kthimin e shqiptarëve nga Siria”, u shpreh Vurmo.