Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 31%
  • Më i zënë në punë 38%
  • Ndihmon në shtëpi 31%

Udhëtimi i A2 në Siri, në kërkim të fëmijëve dhe grave shqiptare të ISIS

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2019, 22:33 | Aktualitet

Jetojmë në një botë ku çmenduritë e të rriturve i paguajnë gjithnjë fëmijët, pasi çdo luftë që ndodh në botë është luftë kundër fëmijëve...

Pikërisht nga historia e një fëmije nisi edhe misioni i A2 në Siri. Pak javë më parë kolegët e programit “Le Iene” në Itali, sollën historinë e trishtueshme të një djaloshi 11-vjeçar, që kish mbetur i vetëm në kampin Al Hawl në Siri. Nëna e tij e bëri viktimë të gjallë për 5 vjet të voglin Alvin. E trishtueshme, e dhimbshme. Shteti Italian arriti që ta nxjerrë nga ai kamp dhe ta bashkojë me familjen Alvin Berishën, por ai është një mes rreth 80 mijë të burgosurve të tjerë, shumica fëmijë, që vuajnë mes skamjes dhe vuajtjes.

Historitë që do tregojmë në këtë reportazh janë histori fëmijësh, fëmijë që marrëzia e prindërve të tyre u ka prishur ëndrrat, u ka vjedhur fëmijërinë, i ka vrarë të ardhmen.

https://a2news.com/2019/11/12/a2-sjell-deshmite-e-shqiptareve-nga-kampi-al-hawl-na-ktheni-ne-vendin-tone/

A2 ishte në zemër të kampit të Al Hawl, ku mes mijëra fëmijëve dhe grave arriti të shquajë, të takojë e bisedojë me shqiptarët. Shqiptarë që flasin shqip, e që kërkojnë që e ardhmja e tyre të mos mbesë e burgosur brenda rrethimit të atij kampi.

Të kequshqyer, të paveshur, të palarë, me një memorie pothuaj të fshirë, por me buzëqeshje shprese, ata treguan se si mbijetojnë në atë vend. Folën për orë të tëra me ta duke ndërtuar me detaje histori të dhimbshme të shqiptarëve të braktisur. Sigurisht asnjëri prej tyre nuk priste që dikush ti jepte një flamur, as të bënte një foto në rrjetet sociale, ata kërkonin vetëm të shpëtoheshin nga vdekja. Nëse prindërit e tyre u gënjyen nga parajsa imagjinare, ata tanimë e dinë që parajsa e tyre e ka emrin liri.

Në dyert e “ferrit”

Situata e vështirë që po kalon Siria, por gjithashtu edhe Kurdistani u ndjenë që në momentin e parë që ekipi i A2 mbërriti Erbil. Edhe pse në Ambasadën e Irakut në Turqi iu sigurua se nuk ishte e nevojshme pajisja me vizë, autoritetet kurde i klasifikuan si ilegalë dhe nuk mund të lëviznin nga aeroporti pa u pajisur me një leje të posaçme. Pas gati 3 ditësh në sektorin e transitit në këtë aeroport arrijnë të sigurojnë leje kalimet e posaçme, për të vijuar misionin drejt Sirisë.

Rruga drejt kufirit tokësor Sirian zgjati me shume se 3 ore deri në afërsi të Faysh Khabur... Siguria që nga ky moment kërkonte me shumë kontrolle, shumë procedura, shumë dokumente dhe shumë informacion. Pas përfundimit të tyre dhe marrjes në pyetje nga shërbimet kufitare vjen hyrja për në Siri.

Ajo të jep shije lufte... Rajoni Rojava në veri  të Sirisë kontrollohet nga Kurdët por në rrugë të shkatërruara nga lufta, mijëra hektarë e fusha të djegura nga ISIS ndërtesa të rrënuara nga bombardimet ndërsa ndalesa e parë në qytezën Derik.

Ekipi i A2 merr pjesë në ceremoninë mortore për 14 ushtarët e rënë në frontin e luftës mes tyre dhe 2 vajza mblodhi me mijëra në varrezat e shehidëve.

“Në këtë ceremoni janë të gjithë luftëtarët e forcës demokratike siriane të cilët luftuan në afërsi të fshatit Till Tamer. Ata po luftonin për nderin e tyre për dinjitetin e tyre. Shpresa jonë, kërkesa jonë është që të gjitha këto luftime të ndalohen të përfundojnë. Ne jetojmë të gjithë së bashku në këtë vend. Ne kërkojmë paqe, liri, i kërkojmë organizatës së të drejtave të njeriut të gjithë opinionit botëror që të na mbështesin dhe t’i japin fund sulmeve turke mbi ne”, thotë e veja e njërit prej viktimave. “Bashkëshorti im u vra ai ishte një luftëtar. Ne po luftonim kundër terrorizmit ne nuk sulmuam askënd. Ata po vinin drejt nesh dhe ishte detyra jonë të mbronim njerëzit tanë. Bashkëshorti im u vra dhe unë kam tre fëmijë”.

Pas një udhëtimi që zgjat 1 orë e 30 minuta, A2 mbërrin në Kamishli. Ajo njihet si baza kryesore e kurdëve të Sirisë, vetëm 80 kilometra larg me kufirin turk. Në këtë qytet arritëm të kryejmë dhe procedurat për marrjen e lejes për në kamp.

2 orë larg, fare pranë zonës së sigurt të krijuar nga ushtria Turke u afruam në fshatin Tell Tamr.

https://a2news.com/2019/11/13/te-harruar-ne-siri-deshmite-e-familjareve-te-grave-dhe-femijeve-ne-al-hawl/

Postblloqet e ushtrisë në frontin e parë mes Kurdëve dhe Turqisë shtoheshin. “Jemi këtu për te ndaluar sulme të çdo lloji makina bomba apo tentative të tjera të futjes së grupeve terroriste. Ne ishim duke luftuar ISIS, ne e mundëm shtetin Islamik në këtë tokë por tani Turqia vjen dhe e mbështet terrorizmin, vetë shtetin islamik. Ne jemi këtu për të mbrojtur popullin tonë dhe do luftojmë për të deri sa njerëzit tanë të kthehen në shtëpitë e tyre. Ne ndihemi keq, të lënë mënjanë pasi kjo ishte një lojë e madhe e luajtur nga fuqitë botërore mbi kurrizin tonë. Ata na kanë lënë vetëm ndërsa ne shpresojmë se të gjithë do të na mbështesin edhe pse askush nuk po bën asgjë”, thotë një ushtar.

I gjithë fshati ishte shkatërruar nga luftimet si një ndër zonat e cila më parë kontrollohej nga shteti. Por qëndrimi ynë nuk mund të zgjaste shumë, kjo për shkak të dronëve ushtarakë turq të cilët bombarduan pikat kurde. Dhe zhurmat e bombardimeve nuk janë shumë larg...

Shpërngulja e një pjese të madhe të ushtarakëve pas bombardimeve bëri që celulat e ISIS të arrinin deri në zemër të Kamishli dhe të vendosnin 3 autobomba. Prania e gazetarëve nga një anë dhe ulja e vigjilencës nga ushtria demokratike Siriane i morën jetën 6 personave ndërsa 30 të tjerë u plagosën nga shpërthimet të cilat ishin 10 metra larg hotelit ku ekipi i A2 po qëndronte, bashkë me gazetarë të CNN, NBC, Times, të cilët padyshim kishin edhe më shumë kohë qëndrimi në atë vend.

Mbërritja në kampin e ISIS

Ky vend quhet Al Hawl. Deri në këtë moment e kishim parë vetëm nëpërmjet hartave apo kërkimeve tona në internet. Sot ishim në gardhin e tij, shumë pranë. Ngjarjet e fundit me vrasjet e shumë personave brenda kampit kishin rritur vigjilencën e forcave kurde. Që në fillim na u komunikua se asnjë gazetar nuk mund të hyjë brenda në kamp pasi rreziku është i lartë. Bashkë me në zonën e pritjes ishin edhe shumë media të tjera ndërkombëtare, aty ku ishte edhe fluksi më i madh i lëvizjeve, gratë e kampit merrnin batanije dhe ujë për natën.

Për disa orë, gazetari Jul Kasapi dhe operatori Endrit Myftari u përpoqën të kontaktojnë me shqiptarët që gjendeshin aty, por askush nuk iu përgjigjej pyetjeve. Vetëm veshje të zeza dhe fëmijë pas tyre....

Pas shumë përpjekjesh, grupi ynë i xhirimit arriti që të sigurojë një leje për të hyrë në kamp. Koha ishte e shkurtër vetëm 60 minuta, ndërkohë që duhet të ishim të shoqëruar me një patrullë ushtarake nga kampi. Edhe pse në vështirësi, forcat kurde vijojnë të mbajnë të sigurt burgun prej rreth 80 mijë personash, ndonëse shumë prej tyre ishin sulmuar me gurë e thika. Me ndërhyrjen turke shumica e forcave ushtarake kurde janë dislokuar në vijën e parë.

Ky është sektori i të huajve në kampin Al Hawl, ku numërohen më shumë se 10 mijë gra e fëmijë, nga 50 kombësi të ndryshme. Shumë prej këtyre grave u janë bindur vendimeve të burrave të tyre, që ju bashkuan ISIS. Ka edhe nga ato që kanë ardhur për të shpëtuar fëmijët e mbetur rrugëve pas luftës. Shtete nga ato vijnë refuzojnë që t’i kthejnë bashkë me fëmijët.

“Jam nga Gjermania. Kam që në mars që jam këtu. Shumica e shteteve kanë frikë prej nesh por ne zgjodhëm të iknim vetë nga shteti islamik. Përse duhet të kenë frikë nga ne në fund ne jemi thjesht gra. Ne qëndronim në shtëpi kujdeseshim për fëmijët gatuanim pastronim dhe kjo është e gjitha. Çfarë mund të bëjë një grua. Një grua nuk mund të bëjë asgjë të madhe, ata mendonin se ne po luftonim por nuk ishte kështu. Unë shkova në shtetin islamik në vitin 2014, që prej atëherë unë thjesht qëndroja në shtëpi”, thotë një grua.

Ekipi i A2 u paralajmërua se pjesa më radikale e ndjekësve të shtetit islamik ndodhej këtu. Më shumë se sa veshjet e zeza fëmijët ishin ata që shihje kudo dhe vetëm mes tyre mund të bëje dallimin e kushteve çnjerëzore në të cilat jetonin. Edhe pse të veshur keq, të ushqyer keq , në asnjërin prej tyre nuk ishte zhdukur buzëqeshja. Qindra fëmijë enden kampit të uritur të zbathur. Misioni ynë për të gjetur Shqiptarët sa vinte e bëhej më i vështirë. Askush nuk i njihte apo të kishte dëgjuar për ta. Asnjë përgjigje...

Në thyerje të çdo rregulli të administratës pas kërkimeve që zgjatën 3 orë një vajzë e vogël u afrua dhe foli shqip.

“Kur e nisëm këtë rrugëtim tonin drejt Sirisë, nuk e menduam si një garë mediatike, por e tëra u ndërtua si një mision për të sjellë të vërtetën. Atë të vërtetë që është e pamundur të manipulohet apo të shtrembërohet, në asnjë lloj forme. Ato që ne sollëm nga atje janë zëra të qartë fëmijësh të pafajshëm, që flasin shqip, që kërkojnë ndihmë”

Jul Kasapi, A2, Siri

A2 CNN Livestream

Dita jonë