Intervista e plotë e Zaev për A2: Asnjëherë nuk kam mbështetur ndarjen e Tiranës nga Shkupi – A2

Intervista e plotë e Zaev për A2: Asnjëherë nuk kam mbështetur ndarjen e Tiranës nga Shkupi

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në një intervistë për gazetaren e A2, Klementina Cenkollari, tha se Bashkimi Europian ia ndaloi vendit të tij aplikimin e modelit shqiptar të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve pas eksperiencës në Shqipëri.

Zaev rrëfeu për A2 se gjatë diskutimit për negociatat në Bruksel, ai për asnjë moment nuk kishte qenë pro ndarjes së fatit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Z. Kryeministër, së pari më lejoni t’ju falënderoj për këtë intervistë me A2.

Është një kënaqësi e madhe për mua,  të jap intervistë për televizionin tuaj të respektuar, e di që po ndiqni të gjithë rajonin, po ashtu është diçka e mirë që qytetarët e këtij rajoni të kenë më shumë informacion, në mënyrë që të jenë më të orientuar drejt miqësisë.

Faleminderit sërish. Z. Kryeministër, nga eksperienca jonë në Shqipëri, Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk e pa të arsyeshme të jepte dorëheqjen pasi Shqipërisë iu mohua për të tretën herë radhazi hapja e negociatave. Shpeshherë, veçanërisht nga opozita, Edi Ramës iu soll si shembull dorëheqja juaj. Ju perse e dhatë dorëheqjen?

Më së pari, të dy vendet kanë të ardhme europiane dhe nuk ka alternativë për këtë, por situata në Shqipëri krahasuar me Maqedoninë e Veriut është pak ndryshe, në pikëpamjen historike. Ne jemi një vend kandidat për në BE prej 15 vitesh, kemi 10 rekomandime për hapjen e negociatave, ne jemi një vend që ndryshuam edhe emrin për këtë.

 Unë inkurajova shumicën parlamentare të ndryshonte Kushtetutën, përmes debateve të forta dhe kërcënimeve nga nacionalistët në vendin tonë, për të ndryshuar emrin tonë kushtetues, për të ardhmen tonë europiane. Po, edhe për shkak të miqësisë me Greqinë, por më së shumti sepse kjo do të hapte dyert drejt Bashkimit Europian.

Zaev i intervistuar nga gazetarja e A2 Klementina Cenkollari

U premtova, se nëse e bëj këtë, edhe Europa do të përgjigjet gjithashtu. Ne plotësuam 100 % reformat tona, çdokush e konfirmoi këtë, edhe Presidenti Macron e konfirmoi. Veç kësaj, patëm një marrëveshje me Bullgarinë,  realizuam marrëveshje historike me Greqinë, por BE nuk përgjigjet.  Është vërtet e vështirë.  Veç kësaj, ka edhe arsye të tjera, pse unë dhashë dorëheqjen dhe mora përsipër përgjegjësi. 

Qëllimi ishte të kishim zgjedhje të parakohshme, që në fund të këtij viti, në 22 apo 29 dhjetor, por opozita nuk pranoi, duke deklaruar se nuk janë të përgatitur dhe duan më shumë kohë, dhe tashmë shkojmë në zgjedhje në 12 prill. Pse e duam këtë? Sepse nuk dhamë shpresë për të ardhmen europiane të këtij vendi dhe duhet të gjenim si ta kapërcenim këtë situatë, këtë herë, me frikën e nacionalizimit, që pas vendimit të BE, gjen një terren të mirë, për të krijuar probleme ndër-etnike.

Ne jemi një shembull i shkëlqyer i raporteve ndër etnike. Ne jemi shumicë maqedonase, 23% janë shqiptarë dhe kemi turq, serbë, boshnjakë dhe minoritete të tjera. Kemi ndërtuar një shoqëri ku secili është i barabartë, me të drejta të barabarta, përgjegjësi të barabarta dhe kemi rezultate të mira. Krahasuar me tre vjet më parë, nuk ka më sulme mes të rinjve në autobusë, apo në shkolla. Ata mbrojnë njëri tjetrin, janë bërë miq. Ne jemi bashkë dhe jemi krenarë për këtë, ky është avantazhi ynë.

Nga ana tjetër, opozita thotë se vendimmarrja e BE, do të ngrijë për shumë kohë dhe kërcënojnë se do të shkatërrojnë marrëveshjen e Prespës. Nëse shkojnë në këtë drejtim, atëherë do i japin një argument shumë të fortë, kolegut tim Micotaqis, apo Borisov, të vendosin një veto të re, në samitin e ardhshëm.

 Prandaj, shkuarja në zgjedhje, ishte për ta vënë vendin në një situatë të sigurtë, ku politikanët duhet të jenë më të fokusuara për të dhënë oferta për të ardhmen, sepse u duhen votat, të flasin për të ardhmen, jo historinë, të flasin për mundësi dhe jo probleme, dhe përmes kësaj, ne shpresojmë të menaxhojmë procesin, për të mos krijuar problem brenda vendit, por edhe me fqinjët.

Sikurse e dini, ne jemi një vend i rrallë, që nuk ka asnjë problem bilateral të hapur me fqinjët. Jemi miq me të gjithë. Në fund të ditës, edhe pse të gjithë e dinë se ishte një gabim historik nga Bashkimi Europian, Presidenti Macron dërgoi një mesazh se tani u duhet më shumë kohë. Ne plotësuam kushtet, OK, ata duan më shumë kohë. Por politikanët duhet të marrin përgjegjësi për vendimet e tyre, brenda vendit. Ndonjëherë, edhe kur nuk janë fajtorë. Kjo u jep mundësi qytetarëve, të rimendojnë, të vendosin dhe ta vënë vendin në drejtimin e duhur.

Po, dua ta përmend këtë. Faktori ndërkombëtar u mbështeti, u mbështetën maqedonasit, kishit një mandat 4-vjeçar. U duk se dhatë dorëheqje shumë lehtë. Pati edhe ndonjë faktor të brendshëm që u çoi në këtë vendimmarrje?

Po ishte një vendim i madh. Normalisht, në atë moment, ndjesia imë ishte se, nëse nuk do të ndërmerrnim disa hapa,  do të dëmtonim në shumë terma vendin tonë. Për shembull, para këtij vendimi, partia ime, ishte në një avantazh prej 5.5 përqind me kundërshtarët e VMRO-DPMNE. Pas vendimit, bëmë një vlerësim dhe opozita ishte në avantazh 1.4 përqind. Pra humbëm rreth afër 7 përqind.

E di që ky ishte zhgënjim i përkohshëm, kam besim se ne do fitojmë në këto zgjedhje, sepse ne jemi forcë pro europiane, të tjerët janë të orientuar drejt nacionalizmit, dhe do dëmtojnë të ardhmen e vendit.

Po, ne kishim mbështetjen e faktorit ndërkombëtarë, BE, SHBA, por ata janë miqtë tanë, nuk janë qytetarët tanë, ne u shërbejmë qytetarëve tanë  dhe duhet të mbajmë përgjegjësi para tyre.

Unë vura në rrezik të gjithë karrierën dhe pozitën time politike, duke marrë kurajë për të bërë këto marrëveshje. Jam maqedonasi i parë që lufton hapur për shqiptarët, kam shenja në fytyrë për këtë, por jam krenar. Kam humbur disa vota maqedonase, por kjo është e ardhmja e këtij vendi multietnik.

 Besoj shumë ne këto vlera, shumica në Parlament beson, shumica e qytetarëve multietnikë besojnë.  Pra jam në drejtimin e duhur. Qytetarët duhet të vendosin se në cilin drejtim duhet të shkojnë. Politikanët vijnë dhe ikin, vendi duhet të jetë i sigurt dhe të shkojë në drejtimin e duhur, sepse është e vetmja rrugë.

Duke folur për drejtimin e duhur, Bashkimin Europian. Presidenti Macron në dy deklarata të tij ka thënë se shumica e vendeve anëtare ishin për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Shumica e vendeve anëtare ishin kundër hapjes se negociatave për Shqipërinë. Por ishte Macron që nuk pranoi ndarjen e vendimit për të dy vendet. E fajësoni presidentin Macron për faktin qe ju penalizoi bashkë me Shqipërinë?

Jo, së pari, unë personalisht, qeveria ime, qytetarët e mi, janë miq të shqiptarëve. Të gjithë ne. Kjo nuk varet nga ne. Ne kemi kërkuar që të dy vendet të ecin përpara, pa ndarje të vendimmarrjes. Pse të ndahemi?

Ne mund të ndihmojnë njeri tjetrin, nëse Presidenti Macron ka një pozicion ndryshe ata do të gjejnë një mënyrë për të shtyrë votën, pavarësisht qëndrimit specifik të disa vendeve për Shqipërinë.  Kam dëgjuar komente nga Holanda, Danimarka, Spanja dhe jam dakord me kolegun tim Rama.

Për të luftuar kundër mafias në Holandë, është detyrë e Holandës. Çfarë mund të bëjë Edi, çfarë mund të bëjnë institucionet, policia shqiptare? Ne ndoshta mund të kemi disa mafiozë rusë, shqiptarë, maqedonas, holandezë këtu. Dhe jemi ne që duhet të përballemi dhe të gjejmë zgjidhje për këtë.

Vërtet, Shqipëria ka bërë shumë hapa pozitivë. Procesi i vetting-ut është shumë i vështirë dhe duhet përmbyllur. Por unë besoj se kishte më shumë debat për Shqipërinë për shkak të disa vendeve të BE që ngritën këto çështje. Por edhe kjo, nuk ishte prezente, ata në çdo rast, do kishin këtë vendimmarrje, pra të mos hapnin negociatat.

Sepse në opinionin tim, arsyet janë të brendshme ne BE, çështja e zgjedhjeve në Parlamentit Europian, pati komente nga vendet e Vishegradt. Pra ata morën një vendim që na lëndoi ne, por unë mendoj se nuk është e qëndrueshme për BE. Për ne sigurisht që po, por edhe për ata. Do e kuptojnë edhe ata.

Ne jemi ishull brenda BE. Të tjerët rreth nesh janë pjesë e BE, ne nuk duam të jemi anëtarë, ne e duam për shkak të vlerave, për shkak të procesit transformues, për shkak të vlerave që kanë qytetaret në vendet europiane. Ne duhet të vazhdojmë në këtë drejtim dhe shpresoj se Unioni do të rikonsiderojë këtë vendim shumë shpejt.

A keni biseduar me kryeministrin Rama në lidhje me këtë opsion që ka përmendur Macron  apo e keni shmangur si temë në takimet tuaja në Bruksel dhe më tej. Cili ka qenë reagimi i tij?

Asnjëherë. Nuk e kemi diskutuar asnjëherë. Ka patur shumë diskutime nga vendet anëtare. Kur më kanë pyetur, qëndrimi im ka qenë, mos bëni këtë. Ne duhet të shkojmë bashkë. Por kemi 15 vjet që jemi kandidat, Shqipëria ka 2 vjet. Keni një rekomandim pozitiv, i dyti ishte në qershor. Ne kemi 10. Është ndryshe. Por duke patur parasysh se si ka vendosur në të shkuarën Bashkimi Europian, për shumë vende, ne bëjmë shumë më tepër se sa vendet e tjera kur kanë marrë vendim pozitiv. Pra nuk e kemi diskutuar asnjëherë këtë, sepse nuk varet nga Shqipëria, nuk varet nga Maqedonia e Veriut. Pse të diskutojmë? Miqtë kujdesen për njëri tjetrin.

Pra në gjykimin tuaj, nuk kishte arsye për dorëheqje të Ramës?

Po, e përmenda. Ishte një situatë ndryshe. Vërtet ndryshe. Jam shumë i ndershëm. Ne jemi politikanë,  Edi ka më shumë shanse të fitojë në Shqipëri. Unë e di, e ndjek, sepse është fqinj im. Unë kam më pak shanse të fitoj në zgjedhje. Pra, varet nga situata, varet nga lidhjet e shkuara me këtë proces dhe sigurisht unë e përmenda, unë ua premtova parlamentarëve tanë, të mbështesin ndryshimin e emrit, marrëveshjen e Prespës. Është ndryshe dhe e vështirë. Shqipëria ka reformat e saj, sukseset e saj. Është ndryshe.

Në zgjedhjet e kaluara, një arsye më shumë që i bëri bashkë shqiptarët ishte premtimi për përdorimin e gjuhës shqipe. A ka Zoran Zaev një premtim tjetër që do i bëjë bashkë shqiptarët?

Zoran Zaev do jetë kandidat. Ky është minimumi për të tërhequr çdo kënd. Jam shumë subjektiv, normalisht. Premtimet për çdo kënd duhet të jenë të barabarta. Ne kemi bërë shumë ndërhyrje në infrastrukturë, pa pyetur kush jeton aty, çfarë besimi kanë. Kjo ndodh për herë të parë në Maqedoninë e Veriut. Kur i pyesni shqiptarët ata thonë qartë se e duam këtë vend, por tani e ndjejmë se edhe vendi na do ne.

Pse ndodh kjo? Sepse të gjithë trajtohen si të barabartë. Dhe kjo duhet të ndodhë. Ka patur shumë politika, llogaritje, të hapja partinë time. Nuk është vetëm Zaev që bën politikë tani, dhe tani edhe ata vendosin se ku do shkojnë paratë, kush është interesi më I mirë për shqiptarët, boshnjakë, maqedonasit. Ky është një ndryshim substancial në vendin tonë. Dhe unë mendoj se do të fitojë përballë politikanëve shqiptarë. Jam ndoshta shumë optimist, por sondazhet tregojnë se jam më mirë se Ali Ahmeti, Zijadin Cela, Bilal Kasami, Afrim Gashi, liderë të partive politike shqiptare, me një pjesë të tyre bashkëpunoj.

Një pjesë janë në qeverinë time, disa janë në opozitë. Por ne votojmë bashkë në Parlament. Mendoj se social demokratët radhiten të tretë në komunitetin shqiptarë. Kundërshtarët tanë do ketë zero vota të shqiptarëve. Jam krenar për këtë. Jam i lumtur që maqedonasit besojnë se nuk humbasin asgjë nëse të gjithë trajtohen njësoj.

Pra ju besoni se do të keni mbështetjen e faktorit shqiptar në zgjedhjet e ardhshme?

Mendoj se është çfarë meritoj pas gjithë këtyre viteve. Është avantazhi im. Kundërshtari im nuk e ka. Të gjitha forcat pro europiane janë bashkë. Kjo është garancia që unë do marr një shans tjetër, me një mandate të qartë. Besoj, shpresoj se qytetarët do të numërojnë të gjitha mundësitë dhe alternativat që kanë. Unë jam ushtar dhe do dëgjoj si vendosin ata. Por do të punoj për t’i bërë të kuptojnë se kjo është mënyra më e mirë për të drejtuar vendin. Kemi rritje të ekonomisë, rritje të pagave, të eksportit. Alternativa përballë është ajo që frenon integrimit dhe krijon problem me fqinjët.

Meqë jemi tek ekonomia, të flasim për ekonominë  e Ballkanit Perëndimor, Shengeni ballkanik. Pyetja ime është, e kujt ishte ideja e Shengenit ballkanik?

Mendoj se ishte ideja e të gjithë liderëve këtu. Por tre nga gjashtë liderët, përmendën këtë, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ne u takuam aty, po pinim verë dhe nisëm të flisnim. Biseduam për procesin e Berlinit, për integrimin europian, Vuçiç na tha se do të zhgënjeheshim, ndërsa ne besonim kaq shumë.

Gjatë këtyre diskutimeve, folëm për krijimin e një “One stop shop” me Maqedoninë dhe të përgatiteshim dhe me Shqipërinë, dhe vlerësuam se nuk është mjaftueshëm. Nuk është mjaftueshëm. Ne shpenzojmë 1 miliard euro këtu në rajon, duke pritur në kufi, shumë para për gjithë rajonin.

Kur qytetarët e BE vijnë në Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, kanë mundësi të punojnë pa leje pune. Por nëse një shqiptar i Shqipërisë vjen në Serbi, apo Maqedoni të Veriut i duhet një ligj për të huaj, më pas leje pune 6 mujore. Ose kur perimet tuaja vijnë në Maqedoninë e Veriut ose Serbi, agjencia juaj e ushqimeve konfirmon se janë të mira për shqiptarët dhe kur vijnë në Maqedoninë e  Veriut, duhet të kontrollohen sërish nga agjencia e Maqedonisë së Veriut.

Pse? Nëse është e kontrolluar dhe është e mirë për shqiptarët, atëherë është e mirë edhe për qytetarët këtu.  Pse të bëjmë këto veprime idiote? Kjo ishte ideja. Disa e quajnë Mini Shengen, disa Mini Jugosllavi, disa të tjerë nuk e di çfarë. Është përshpejtim i bashkëpunimit rajonal.

Nuk është nevoja të presim përherë dikë nga Europa të vijë dhe të na ndihmojë. Mund t’ia dalim edhe vetë ndonjëherë. Varet nga ne. Është Ballkani i shekullit të 20. Le të përdorim burimet tona për të përmirësuar jetesën e qytetarëve tanë. Unë dua t’u tregojë gjermaneve, austriakeve, francezëve, se ne ia dalim vetë për shumë gjëra dhe meritojmë më shumë vëmendje.  Kjo është ideja e përshpejtimit të bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe jo më për Ballkanin Perëndimor, por për Europën Juglindore, sepse ne jemi pjese e Europës Juglindore.

Edi e quan Bashkimin Europian të  Europës Juglindore, Vuçiç e quan Mini Shengen. Por ky është qëllimi. Ne Ohër ishte Banka Europiane për Zhvillim, Banka Botërore, Komisioni Europian, RCC, pra Majlinda Bregu ishte atje. Pra të gjithë panë se ishte një rrugë për të përshpejtuar integrimin europian.

Pra le të themi që është një projekt që synon të vërë nën presion Bashkimin Europian?

Të bësh presion është mirë. Shpresoj, presion pozitiv. Por ata do të shohin më shumë luftë ndaj korrupsionit. Do të shohin se vlerësojmë taksat e paguara nga qytetarët në Francë apo Gjermani, si ne ndërtojmë rrugë, autostrada, sepse ata kanë shpenzuar shumë para në rajon. Ata do të shohin se e ne vlerësojmë. Ne shpresojmë që të ketë impakt pozitiv tek Bashkimi Europian, por më së pari, ne e bëjmë këtë për qytetarët tanë.

Keni arritur të kuptoni pse ka hasur në skepticizëm kaq të madh nga vendet që ju pretendonit t’i bënit anëtarë?

Sepse procesi nisi me 3 vende. Nëse do kishim nisur me 6, çdo gjë do kishte shkuar mirë. Tani ne duhet të sigurojmë të tjerët se është e hapur për të gjithë.  Ndonjëherë, Bosnja Hercegovina nuk ka qeveri për 1 vit. Me kë të negociosh? Kush do të marrë vendime? Nuk është e mundur.

Periudha kur ne ishim bashkë, ishte para vendimit te BE, në Novi Sad për shembull. Unë dhe Edi mendonim se do merrnim përgjigje pozitive dhe e përshpejtuam si proces. Ishte periudha kur Kosova ende nuk kishte mbaruar zgjedhjet. Mali i Zi, nuk pati vendim për të marrë pjesë. Nisi të priste. Për shembull, ne e nisëm tani dhe ftuam të gjithë. Është e mundur për të gjetur zgjidhje për disa çështje mes Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje Hercegovinës, sepse Shqipëria dhe Serbia nuk janë gati, ose nuk e di, Shqipëria me Malin e Zi marrin disa vendime dhe ne do presim sepse nuk jemi gati. Pra do të japim mundësinë për fleksibilitet për të përmirësuar procesin për lidhje më të forta.

Keni deklaruar se Shengeni Ballkani nuk është një alternative ndaj BE, por nga ana tjetër jeni shprehur në favor të forcimit të lidhjeve ekonomike me Rusinë. Keni deklaruar se Maqedonia e Veriut nuk ka alternative tjetër veç BE dhe NATO por nga ana tjetër nuk do i bashkoheni sanksioneve të vendosura nga BE për Rusinë. Ju ndihmon apo jo pengon ky dualizëm për synimin tuaj në integrimin e Bashkimit Europian?

Kur ne vendosëm të mos i bashkohemi sanksioneve për Rusinë, e konsultuam këtë me miqtë tanë të Bashkimin Europian. Ne nuk jemi pjesë e Bashkimit Europian,  dhe kemi të drejtë për disa vendime, sigurisht në konsultime me miqtë tanë europiane, Berlin, Paris, Londër, Romë, të gjithë vendet.

Ne nuk kemi shumë impakt, askush nuk debaton për këtë. Ne jemi vende të vogla dhe duhet të përdorim çdo mënyrë për të përmirësuar jetesën e qytetarëve tanë. Sigurisht duhet të bashkëpunojmë ekonomikisht me Rusinë, Kinën, Lindjen e Mesme, por nuk ka alternativë veç NATO dhe Bashkimit Europian. Ata duhet ta dinë këtë, të gjithë duhet ta dinë. Pse? Ne shkojmë drejt Perëndimit sepse na jep vlera, liri, drejtësi, shtet të së drejtësi, edukim, shëndetësi më të mirë.

 Rusia duhet të kuptojë anëtarësimin tonë në NATO, nuk është qëllimi ynë të luftojmë kundër Rusisë. Me çfarë, me gurë? Ne duam të mbajmë paqen këtu dhe të marrim pjesë ne ruajtjen e paqes në gjithë botën. Por ne jemi Ballkan multietnik. Paqe, stabilitet, për ne nënkupton ekonomi, investime, të mbajmë të rinjtë këtu, të mos ikin në Holandë, në Gjermani. Ky është qëllimi ynë. Ne jemi një vend i paqtë dhe do mbetemi një vend i paqtë. Do bashkëpunojmë me gjithë vendet. Ka vetëm një rrugë për ne, të jemi me BE dhe NATO. Alternativa të tjera do të dëmtojnë, do të sjellin probleme.

A po bën Shkupi një lojë të dyfishtë për të cilën deri më tani është akuzuar Beogradi? A është bashkuar edhe Shqipëria në ketë loje presioni ndaj Bashkimit Europian?

Jo, ne jemi kundër këtyre sanksioneve kundër Rusisë. Nuk është diçka e re që po ndodh në raportet me Rusinë. Politikat e miqësisë, na vënë në situate të jemi miqësor me të gjithë, Rusia, është kundër anëtarësimit tonë në NATO, por jemi krenarë për anëtarësimin. Pas dy muajsh flamuri ynë do valëvitet në NATO. Kjo për mua do të thotë, paqe, stabilitet.

Për ne nuk ka alternative veç BE dhe NATO. Por, nëse mundem dhe dua të shes domatet apo kastravecët tonë në Rusi? Po, dua të shes. Nëse mund të kem çmim më të mirë për metale? Po. Nëse kjo do të thotë  jetë më të mirë për qytetarët. Por nëse kjo do të thotë të ndryshojë orientim tim, ok, paguaj dyfish. Sepse ka vlera që vlejnë më shumë se sa paratë. Por ne duam të kem bashkëpunim më të mirë me të gjithë, në mënyrë të hapur dhe të ndershme. 

“I jam shumë falënderues  gruas time, sepse më ka trajnuar.Kur arrij marrëveshje me të, ka qetësi në shtëpi. Është shumë mirë, edhe në rajon, si në shtëpi, kur ka marrëveshje”

Përmes miqësisë, kjo pjesë e vogël e botës, ka të ardhme më të mirë, bashkë me BE dhe NATO. I jam shumë falënderues  gruas time, sepse ajo më ka trajnuar. Kur arrij marrëveshje me të, ka qetësi në shtëpi. Është shumë mirë, edhe në rajon, si në shtëpi, kur ka marrëveshje. Po bëj shaka.

Dy pyetje të fundit. Nuk e keni mbështetur idenë e vetting-ut në drejtësi, këtu në Maqedoninë e Veriut, duke deklaruar se nuk doni të përballeni me të njëjtën situatë si Shqipëria. Çfarë nënkuptoni me këtë?

Në 2016 Shqipëria nisi procesin e vetting. E kam ndjekur plotësisht. Edhe Edi dhe parlamentarët kanë ndarë të gjithë benefitet dhe problemet që solli ky proces. Dhe unë e pata premtuar në zgjedhje, jo vetting, por atë që e cilësoj njohje e se drejtë për t’u rizgjedhur e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ishte pjesë e programit. Por kur mora detyrën,  BE nuk dha mundësi të nisja procesin.  Pse? Sepse ndoshta duhet të ndiqnin si po shkonte ne Shqipëri, si do mbyllej. 

Ata na thanë, se nuk keni njerëz, nuk keni si  të plotësoni vendet që do mbeten bosh. Duhet të ketë përgjegjësi personale, jo kolektive. Dakord, ne bëmë një seri reformash. Por sjellja e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ndryshoi siç duhet. Prandaj ne tani flasim për vetting të drejtësisë, politikanëve, drejtuesve të institucioneve. Pse sepse është një proces i mirë ai i rifreskimit dhe transformimit të të gjithë vendimmarrësve.

A jeni optimist për një vendimmarrje pozitive në maj për Tiranën e Shkupin, apo e keni humbur besimin tek Europa?

Përgjigja ime do të jetë, ne do bëjmë çdo gjë, do vijojmë reformat, kur Europa të jete gati, le të na informojë. Nëse unë them po, atëherë mund të ketë një zhgënjim më të madh, jo, jo jo. Ne do të çojmë edhe më tej reformat, do të sjellim Europën këtu në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, me shumë ndryshime pozitive. Besoj shumë në këtë. Ne do punojmë dhe do çojmë sinjale pozitive tek vendimmarrësit në BE, kur ata të vendosin pozitivisht, le të na informojnë, sepse do të ndihmojnë përmirësimin pozitiv të vendit dhe transformimin e Maqedonisë së Veriut.

Kryeministër Zaev, faleminderit sërish për këtë intervistë. Ka qenë një kënaqësi.

Faleminderit. Më të mirat kujtdo që ndjek këtë intervistë.