Operacion spiunazhi rus në Serbi, Vucic: Putin nuk ka qenë i informuar – A2

Operacion spiunazhi rus në Serbi, Vucic: Putin nuk ka qenë i informuar

Serbia është aleati kryesor i Moskës në Ballkanin Perëndimor, por  kjo nuk duket ta ketë penguar të shtrijë edhe në këtë vend veprimtarin e vet të spiunazhit. Numri një i Beogradit, Aleksandër Vucic tha se shërbimet sekretet serbe kishin zbuluar një operacion të gjerë të inteligjencës ku përfshiheshin spiunë rusë dhe pjesëtarë të ushtrisë serbe.  

Presidenti serb konfirmoi se një zyrtar i inteligjencës ruse kishte zhvilluar një takim më një oficer ushtarak serb në pension, duke i ofruar para këtij të fundit. Rasti u ekspozua në një video të postuar në YouTube gjatë fundjavës. Shtetasi rus është identifikuar si koloneli Georgy Kleban, një ish-atashe ushtarak në ambasadën ruse të Beogradit.

 “Ne kemi prova se edhe pjesëtarë të tjerë të shërbimeve ruse të sigurisë kanë qenë në kontakt me struktura ushtarake serbe, edhe me video e audio, por nuk kemi dashur t’i bëjmë publike. Vetëm për Kolonelin Kleban, janë dokumentuar 10 kontakte me 3 burime konspirative”, tha Vucic.

Megjithatë, Presidenti serb, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve lidhur me çështjen, u kujdes të theksonte se rastet nuk do të preknin marrëdhëniet e afërta mes Serbisë dhe Rusisë. Sipas tij, Presidenti Vucic nuk kishte qenë i informuar mbi veprimtarinë e agjentëve rusë.

“Ne kemi marrëdhënie shumë miqësore me Federatën Ruse. Jam i bindur, ose të paktën mendoj, se Presidenti Putin nuk ka qenë i informuar mbi këtë gjë”, tha Vucic.

E megjithatë, rasti ka potencialin për të krisur marrëdhëniet mes dy aleatëve të vjetër. Moska është mbështetësi më i fortë i Beogradit kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.